Një “Super Bowl” i një niveli të lartë ishte ai i finales së luajtur në “Hard Rock Stadium” të Majemit, ku Kansas City Chiefs kanë triumfuar pas 50 vitesh. Loja mjaft e mirë në mbrojtje nuk i ka mjaftuar San Francisco 49ers, që edhe pse ishin në avantazh 20-10, janë përmbysur nga magjia e Patrik Mahomes (lojtari i ndeshjes). 31-20 është rezultati final, me Andi Reid që fiton unazën e tij të parë.
Ka funksionuar shumë mirë mbrojtja e San Franciscos, ndërsa Mahomes fillimisht vuan për t’i udhëhequr të tijtë. Por më pas Chiefs gjejnë rrugën e duhur. Mahomes i afrohet rrezikshëm “endzone”, kur kishin mbetur pak më shumë se 2 minuta nga kronometri, realizon “touchdown”-in e parë të ndeshjes dhe 6-3, pastaj Butker e çon rezultatin në 7-3 pas 31 minutash.

Kansas City e nis mirë çerekorëshin e dytë, duke marrë sulmin, Mahomes përfiton dhe nis Uatkins që fiton 28 jard. Chiefs rrezikojnë më pas dhe e paguajnë. Futet në lojë Butker, i cili e çon rezultatin në 10-3 për Chiefs. Zgjohet San Francisco që gjen hapësirë të lirë në qendër. Garopolo çon Kyle Juszczyk në “touchadown” dhe barazim 10-10 me gjuajtjen e Gould. Sulmi i Kansas City dështon dhe në 14 sekondat e mbetura Garopolo gjen bukur George Kittle, por arbitrat i dërgojnë dy skuadrat në pushimin e ndeshjes.
Gjatë intervalit, Shakira dhe Jennifer Lopez kanë dhuruar spektakël me performancën e tyre. Tifozët kanë shijuar për 15 minuta spektakël, që ashtu siç deklaruan edhe dy këngëtaret, iu dedikua Kobi Brajant, ish-basketbollistit që ndërroi jetë në moshën 41-vjeçare pas një aksidenti tragjik me helikopter, bashkë me vajzën Giana.

Me rikthimin në fushë, topin e ka Garopolo, ndërsa Gould shkon në “field goal” dhe 13-10, avantazhi i parë për kalifornianët. Pas 6 minutash pushim, futet sërish në fushë Mahomes, i cili futet menjëherë në aksion, por nuk i bën mirë llogaritë me mbrojtjen kundërshtare që bën presion të madh. Bosa ua komplikon ndeshjen mbrojtësve të Chiefs. San Francisco dhe Garopolo kanë një shans të artë dhe përpiqen ta shfrytëzojnë. Goditja e radhës precize nga Gould e çon rezultatin në 20-10.
Fraksioni i fundit i lojës fillon me një tentativë të Mahomes për shokët e skuadrës, por aty konfirmohet kualiteti i mbrojtjes kundërshtare. Më pas lojtari i Chiefs provon vetëm me aksione individuale, duke e parë si të vetmen mënyrë për të zgjidhur ndeshjen. Kthesa vjen në “down”-in e parë të Kansas Sitit, kur tentativa e Mahomes ndërpritet nga San Francisco, që praktikisht ka në dorë “Super Bowl”-in numër 54. Në këtë moment San Francisco e ul pak ritmin për të fituar kohë, duke mos i dhënë asnjë shans Kansas City të rifutet në ndeshje. Por në një moment gjithçka ndryshon. Chiefs, me një veprim shumë të bukur të Mahomes, e çojnë rezultatin në 20-17. San Francisco luan një “drive” në mënyrën më të keqe dhe loja e jashtëzakonshme e Mahomes bën diferencën, gjen një “touchdown” të diskutueshëm me Uilliams dhe 24-20 2 minuta e 44 sekonda nga mbyllja e ndeshjes. Garopolo nuk gjen linja të lira dhe humb kontrollin e topit dhe “Super Bowl” përfundon këtu. Me “touchdown”-in e radhës, Chiefs fiksojnë rezultatin përfundimtar në 31-20 dhe shpallen kampionë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje