Dëbimi i shtetasit turk Harun Çelik nga shteti shqiptar ishte arsyeja e interpelancës së zhvilluar në Parlament mes deputetit të opozitës Artur Roshi dhe ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Për deputetin e opozitës kjo procedurë e ndërmarrë nga policia e vendos Shqipërinë në një anë të errët për sa i përket respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, pasi është shkelur neni 14 i Kartës Europiane i të Drejtave të Njeriut, pasi mësuesit Çelik i kërcënohej jeta në vendin ku do të depërtohej. Gjithashtu ai vuri theksin edhe te reagimi që patën dy europarlamentarët, të cilët me anë të një letre drejtuar krerëve të institucioneve shqiptare kërkuan të njiheshin me procedurat që u ndoqën pikërisht me këtë rast.

Ministri i Brendshëm, Sandër Leshaj që në krye të herës u shpreh se nuk është realizuar asnjë shkelje për procedurën e dëbimit të shtetasit turk Harun Çelik dhe se qeveria ka zbatuar ligjin “Për të huajt”. Sipas Lleshajt, dëbimi i Çelik ishte një praktikë e rëndomtë, i njëjtë me ato shtetas që nuk disponojnë një dokument për leje qëndrimi dhe se më këtë çështje nuk është marrë personalisht vetë, por janë institucionet e tjera, si drejtoria e policisë kufitare që zbatojnë këto vendime. “Rasti është i tillë, Harun Çelik është ndaluar pasi u kap me vizë kanadeze të falsifikuar, nuk ka qenë rezident në Shqipëri, hyri vetëm në 5 korrik 2019 dhe doli pas disa orësh dhe erdhi në datën 8 korrik për t’u ndaluar në dalje të kufirit. Policia kufitare dhe Emigracionit ka zbatuar detyrimet për të huajt. Çfarë ligji është zbatuar? Është zbatuar ligji “Për të Huajt”, që thotë se dëbimi i të huajve është masë administrative që merret për largimin në bazë të vlerësimeve rast pas rast ku rezulton se ka hyrë në mënyrë të paligjshme dhe ka të dhëna se do të kalojë ilegalisht në vendet e tjera. Ky qytetar ka hyrë ilegalisht dhe do e përdorë për të kaluar në vende të tjera”, theksoi Lleshaj.

Ministri gjithashtu ka bërë të ditur se në vendin tonë janë 2 mijë shtetas turq që kanë marrë leje qëndrimi me afate kohore të ndryshme. “Shtetasi Harun Çelik në momentin e dëbimit nuk ka ngritur pretendime, gjë që vërtetohet se ka firmosur urdhrin dhe kjo e mbyll çdo diskutim. Dëbimi është bërë nga autoritetet përkatëse të policisë për në aeroport deri në momentin që është imbarkuar në bordin e avionit Turkish Airline. Atij iu ofruan të gjitha të drejtat e Kushtetutës dhe ligjit për të huajt, mundësitë për të kundërshtuar aktin apo të kërkimit të azilit, por ai nuk ka preferuar që të shfrytëzojë këto të drejta”, theksoi Lleshaj. Pas uljes me 1/3-ën e dënimit, shtetasi turk dilte në liri më 1 janar të 2020 dhe pikërisht për këtë u kërkua që veprohej. Por Lleshaj gjatë fjalës së tij nuk përcaktoi se kjo procedurë që sipas tij është e rregullt, pasi ka marrë firmën e Çelik, u ndërmor pasi ai cilësohej si rrezikshëm për Shqipërinë. Nga ana e tij deputeti i opozitës Roshi theksoi se shteti i dha zero ditë kohë Çelik për t’u larguar nga Shqipëria dhe se nuk kishte mundësi ku të kërkonte azil, pasi 1 janari ishte ditë pushimi.

“Mësuesi turk nuk kishte hyrë në mënyrë të paligjshme. Varësit tuaj i dhanë një urdhër dëbimi menjëherë dhe të drejtën për ankesë në ditë pushimi. Të gjithë pamë miqtë e tij që e ndiqnin pa shpresë, teksa dërgohej me urgjencë drejt Rinasit dhe ku thërriste: Azil, azil. Kjo tregonte se liria dhe jeta e tij vihej në rrezik. U shkel karta e të drejtave të njeriut”, theksoi Roshi. Sipas tij kjo çështje do të ketë ndikim në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE.
Në replikën e tij, Lleshaj u shpreh se nuk duhet të bëhet politikë për këtë çështje dhe shprehu habinë se pse mediat u morën me rastin e këtij shtetasi turk, duke shtuar se nëse kishte pretendime mund të kërkohej ndonjë hetim pa e sjellë çështjen në Parlament, të atakohej në gjykatë apo të bëhej ndjekje penale.
Debati për kanabisin dhe rendin
Çështja tjetër e interpelancës mes ministrit Lleshaj dhe deputetit Roshi ishte edhe ajo për luftën kundër kultivimit të kanabis sativës dhe masat që po merr shteti për ta luftuar atë. Ministri Lleshaj shfrytëzoi rastin që të kundërshtonte edhe kronikat e shumta të televizionit italian Rai 3 mbi rritjen e kultivimit të bimëve narkotike. “Në 2019 kemi minimum historik të kultivimit të kanabisit. Përgjithësisht kanabisi është prodhuar për trafikim dhe ‘klienti’ kryesor në qenë Italia. Nga burime italiane në 2019 janë trafikuar, janë kapur 1448 kg kanabis, nga 6586 një vit më parë, apo mijëra e mijëra në historinë tonë. Kjo sipas italianëve. Në tregun e brendshëm sipas të dhënave të policisë, çmimi i shitjes së kanabisit, në tregon e zi, është maksimumi historik prej rreth 800 euro për kg”, tha Lleshaj gjatë fjalës së tij.
Por deputeti i opozitës, Roshi nga ana e tij theksoi se kanabisi shitet në mes të Tiranës, pranë çdo shkolle dhe në lokalet që janë ngjitur me policisë e shtetit. Gjithashtu ai theksoi se sa i përket sigurisë së rendit dhe asaj rrugore, policia nuk kryen kontrolle për ato që konsumojnë lëndë narkotike, që janë burim i aksidenteve, por vetëm për ato alkoolike, edhe pse përbëjnë mundësi për rritje të krimit. “Në zona të ndryshme të rrugës Tiranë-Elbasan bëhen gara me makina luksoze dhe hidhen video nëpër rrjetet sociale. Efektet e rritjes së qarkullimit të përdorimit të lëndëve narkotike është i shtrirë në kohë dhe plagët e tij do t’i shohim”, theksoi Roshi. Por Lleshaj u shpreh se ka rritje të sigurisë së rendit në vend dhe krimi është në ditët e tij më të këqija.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje