Partia Demokratike ka reaguar për paketën Anti-KÇK të miratuar nga qeveria për sekuestrimin e pasurive të vëna nga aktiviteti kriminal.
Ish-deputeti Enkelejd Alibeaj, në një dalje për mediat nga selia blu u shpreh Rama nuk do të bëjë asgjë përvec propagandës, pasi qeveria e tij varet nga krimi.
“Edi Rama paralajmëroi me bujë se sot do të niste goditja e madhe kundër krimit të organizuar, duke goditur pasuritë e paligjshme të tij. Asgjë nuk ka për të bërë përtej propagandës, sepse pushteti i Edi Ramës varet nga krimi i organizuar, nga trafikantët e dënuar për trafik ndërkombëtar droge, nga vrasësit dhe kriminelët më të rrezikshëm të vendit, që blejnë dhe sigurojnë vota për pushtetin e tij”, u shpreh Alibeaj.
Sipas ish-deputetit, krimi është bërë pjesë e politikës.
“Në qeverinë e Edi Ramës krimi u bë pjesë e politikës. Kriminelët u bënë deputetë, u bënë kryebashkiakë. Në rastet kur ata nuk hynë në politikë drejtpërsëdrejti, kriminelët krijuan lidhjet me pushtetin e Edi Ramës dhe u bënë biznesmenë të fuqishëm, duke marrë fonde publike nga tenderat korruptive të qeverisë së tij”, tha ai.
Alibeaj tha se Edi Rama duhet të nisë zbatimin e ligjit anti-KÇK me pasurinë e mikut të Taulant Ballës, trafikantit ndërkombëtar të drogës, Edmond Bego.
“Edi Rama bën vetëm propaganda. Nëse nuk do të ishte kështu, trafikanti ndërkombëtar i drogës Edmond Bego nuk do të kishte marrë nga qeveria e korruptuar e Edi Ramës tendera, leje dhe licenca.
Që kur lidhi miqësi me Taulant Ballën, numrin 2 të Partisë Socialite, Edmond Bego ka marrë 14 milionë euro para publike, në shkelje të ligjit të prokurimit publik, i cili përjashton nga pjesëmarrja në tender personat e dënuar për trafik ndërkombëtar droge”, u shpreh ai.
Ndër të tjera, ish-deputeti tha se kryeministri Rama “ta nisë zbatimin e ligjit anti KÇK me goditjen e trafikantëve të dënuar të drogës dhe pasurive të tyre të paligjshme, si Edmond Bego i Taulant Ballës, për të cilin, bashkë me Erion Veliajn, ndryshuan rrjedhën e lumit të Lanës, duke i hapur rrugën pastrimit të 60 milionë eurove”.
Pas kësaj deklarate, i menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Edi Rama.
Nëpërmjet një postimi në Twitter, Rama thotë se nuk surprizohet nga reagimi i PD dhe thekson se “nuk kanë parë gjë akoma”.
“PD vë në dyshim kushtetutshmërinë e paketës antiKÇK? Asnjë suprizë! As kanë parë gjë akoma po as kemi dëgjuar gjë akoma nga goja e tyre! Krimin e kanë mjet politik kundër qeverisë, por s’e kanë pasur kurrë në shënjestrën e tyre! Përkundrazi! E kanë ushqyer e janë ushqyer prej tij”, shkruan kreu i qeverisë, Edi Rama.
Edhe kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur përmes një postimi në “Twitter”, reagimit të kryeministrit Rama për paketën Anti-KÇK.
Basha thotë se Rama është tmerruar nga ligjet e veta dhe thekson se mishërimi më i qartë i KÇK është vetë qeveria e tij.
“Rama ka frikë nga hija e vet.Është tmerruar nga ligjet e veta.I rrethuar nga kriminelë e mafiozë,ai vazhdon ti mbrojë ata me gjithçka ka në dorë.Edi Rama gënjen sa herë që hap gojën; pretendon se po lufton krimin kur në fakt mishërimi më i qartë i KÇK është… vetë qeveria e tij”, shkruan lideri demokrat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje