Politike

Interpelanca, Gjonaj zbulon të burgosurin VIP me 850 takime, Maliqi sulmon drejtorin e Burgjeve

Debati mes ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe deputetit të opozitës, Lefter Maliqi u përshkallëzua ndjeshëm në seancën plenare të kësaj të hëne, ku ministrja ishte thirrur në një interpelancë për sigurinë në burgje, marrë shkas nga shoqërimi nga burgu i Peqinit për në një klinikë dentare private në mes të Tiranës të Dritan Dajtit.

Panorama që i bëri Lefter Maliqi, që deri para se të merrte mandatin e deputetit të ishte zv.drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve ishte më shumë se e zymtë. Ai hodhi akuza të drejtpërdrejta ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, që e cilësoi të korruptuar, të lidhur me krimin dhe e akuzoi se e ka shndërruar këtë institucion në një institucion privat, duke shkelur ligjet e vendit me një sërë emërimesh dhe shkarkimesh.

Sipas Maliqi, Agim Ismaili ka urdhëruar largimin e të gjithë drejtorëve të burgjeve që ishin të lidhur me ministrin e Brendshëm, Sandër Lleshaj, pavarësisht se ata ishin specialistë.

“Pavarësisht se keni emëruar një drejtoj burgjesh, i cili kërkonte që zv.drejtori të largonte njerëzit e Sandër Lleshajt, ti s’e komandon atë, por ai ty. Miqtë e Lleshajt, ushtarakët që shkarkoi Drejtori i Burgjeve po fitojnë gjyqet një nga një”, deklaroi Maliqi.

Ministrja Gjonaj iu përgjigj duke deklaruar se janë marrë një sërë masash, ndryshime ligjore dhe rregullash, që sipas saj kanë rritur sigurinë në burgje dhe i kanë dhënë fund pandëshkueshmërisë ndaj shkelësve të ligjit. Për të ilustruar masat e marra, Gjonaj solli rastin e një të burgosuri që ka zhvilluar numrin rekord prej 850 takimesh brenda një viti, në një kohë që ligji lejon vetëm 48 të tilla. Ministrja nuk e bëri publik emrin e të burgosurit në fjalë, por Top Channel thotë se ajo i referohej pikërisht Dritan Dajtit.

Por, për rastin e shoqërimit të Dritan Dajtit për në një klinikë private në zemër të Tiranës, Lefter Maliqi tha se i ishte ngritur një kurth ish-drejtorit të Policisë së Burgjeve, Bardhyl Kaçorri, me të cilin deputeti pranoi se kishte pirë një kafe.

Deputeti i opozitës, Lefter Maliqi. Gazeta Si, shkurt 2020

“Për rastin e Dritan Dajtit, ju i ngritët kurth drejtorit të Policisë së Burgjeve. Të burgosurit, se këta nuk kanë as mjekë, dhe kur duan të vizitohen me lekët e tyre kërkesa ciklohet nga drejtori i burgjeve dhe ai ishte sipas rregullave”, tha ai.

Nga ana e saj, ministrja Gjonaj këmbënguli se në administratën e burgjeve janë larguar emërimet nepotike, ndërsa sa u takon akuzave të Maliqit nënkuptoi se ai duhej t’i drejtohej Prokurorisë për çështjen në fjalë.

“Nuk jam këtu për t’iu përgjigjur mllefeve, apo inateve tuaja personale me persona specifikë dhe drejtues. Unë nuk po e kuptoj merakun tuaj. Bëtë një panoramë me emra, dhe nuk e kuptoj se pse ishin më shumë persona të dënuar që u përmendën këtu? Unë nuk u jap rëndësi emrave, por nëse ka shkelje evidentohet, çohet në prokurori dhe këtu mbaron. Nuk kuptoj merakun tuaj”, deklaroi ajo.

Maliqi reagoi duke deklaruar se Agim Ismaili e ka shndërruar sistemin e burgjeve në një “biznes privat”, duke mbyllur edhe drejtorinë e auditimit dhe duke ndërhyrë në tenderat që kryen ky institucion përmes personave që ka lidhje.

“Auditi i Burgjeve është 10 muaj i mbyllur. Ky (Ismaili) drejtori e shkarkoi me presione, gjykata e riktheu në detyrë dhe ky nuk e lejon shefin e auditit të hyjë në zyrë”, tha ai.

Deputeti i opozitës foli për një sërë shkeljesh që Agim Ismaili i ka kryer në postet e tjera që ka mbajtur përgjatë karrierës së tij.

“Ka qenë i akuzuar edhe për favorizim pesticidesh kur ishte drejtor i AKU-së, denoncime edhe nga biznesmenë të tjerë. E bënë nëndrejtor të pastrimit të parave. DEA amerikane i kërkoi Kryeministrit ta largonte, por klanet nuk e lanë dhe ai e emëroi drejtor të AKU-së, ku bëri abuzime. E vërteta është se shantazhonte edhe Kryeministrin dhe ai e çoi te Burgjet”, vijoi ai.

Më tej, deputeti Maliqi akuzoi Agim Ismailin se qëndron edhe pas lirimit në kohët e fundit të të burgosurve me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

“Pse 8 të burgosur me rrezikshmëri kanë dalë tani vetëm me këtë drejtor. Si ka mundësi që Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm dhe Policia e Burgjeve nuk dinte gjë për atë të Krujës? Ju mendoni se të ‘fortët’ në burg punojnë?”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë