Partia Demokratike vijon të shënjestrojë paketën Anti-KÇK, të miratuar nga qeveria për sekuestrimin e pasurive të vëna nga aktivitetet kriminale.
Sekretari për Çështjet Ligjore i PD, Çlirim Gjata, në një dalje nga selia blu tha se kryeministri Edi Rama duhet ta lejojë policinë të shënjestrojë pasurinë e ish-ministrit Saimir Tahiri.
“Pas Edmond Begos, mikut trafikant të Taulant Ballës, Saimir Tahiri është shembulli tjetër i dështimit të Edi Ramës dhe i standardeve të dyfishta që përdor ai.
Në vend që të bëjë qesharake Policinë e Shtetit me operacione të sajuara keq, Edi Rama duhet ta lejojë policinë e tij të vendosë në shënjestër pasurinë e Saimir Tahirit.
Ish-ministri i tij i Brendshëm, i cili ka hyrë në histori për kanabizimin e Shqipërisë, është një nga subjektet ideale të ligjit propagandistik të Edi Ramës”, u shpreh Gjata.
Sipas Gjatës, kreu i qeverisë vazhdon të mbrojë ish-ministrin Tahiri, edhe pse kanabizoi vendin.
“Saimir Tahiri akuzohet për trafik droge nga drejtësia, bën një jetë luksoze me rrogë shteti, hap biznese të reja, madje i sfidon të gjithë duke paguar 20 mijë dollarë për lobim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh ai.
Gjata tha se i ashtuquajturi ligj anti-KÇK, është një akt tjetër propagande për të mashtruar shqiptarët dhe ndërkombëtarët.
“Sondazhet tregojnë se shqiptarët nuk i besojnë Edi Ramës dhe e dinë se i ashtuquajturi ligj anti-KÇK, është një akt tjetër propagande për të mashtruar ata dhe ndërkombëtarët, të cilët i kërkojnë qeverisë luftë reale ndaj krimit të organizuar për të nisur negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, thotë ai.
Ndër të tjera, ai tha se “Rama ka ndërmend të bëjë vetëm show me një grup policësh, të keqpërdorur dhe të tradhëtuar në këto 6 vjet prej paktit të bashkëqeverisjes së Edi Ramës me krimin e organizuar”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje