Politike

Bashkia akuzon Bashën: Hyri me forcë në godinën e studentëve. PD: Sajesë! Veliaj ndjehet i frikësuar

Bashkia e Tiranës akuzon kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha se së bashku me katër shoqërues të tij ka hyrë me forcë në një godinë në Qytetin Studenti duke dhunuar recepsionisten e godinës në fjalë.

“Pasditen e sotme (e martë), kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, së bashku me 4 shoqërues të tij, jo studentë, të pajisur me kamera për shoë-n e radhës, ka hyrë me dhunë në mjediset e brendshme të Godinës Nr. 4 në Qytetin Studenti. Bashkia e Tiranës dënon dhunën e ushtruar ndaj recepsionistes së Godinës nr. 4 në Qytetin Studenti nga qytetari Basha dhe tabori i tij i figurantëve, që prej disa ditësh kanë nisur të xhirojnë klipe nëpër Tiranë, si këngëtarë tallavaje, dhe dëshiron të informojë qytetarët se ka nisur menjëherë procedurat për denoncimin e tij para organeve ligjzbatuese si dhunues”, thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës.

Deklarata vijon më tej duke sqaruar se në godinat e Qytetit Studenti hyhet vetëm duke marrë një leje paraprake pranë Drejtorisë së Konvikteve. Kjo procedurë, sipas Bashkisë së Tiranës, ndiqet edhe nga prindërit dhe familjarët e studentëve që banojnë në ato godina. Sipas Bashkisë, Basha nuk e ka kërkuar një leje të tillë.

Qëllimi i kësaj vizite të kreut të PD-së në godinën nr.4 të Qytetit Studenti duket se ka qenë denoncimi i mosmbajtjes së premtimit për rikonstruksionin e godinave në kuadër të “Paktit për Universitetin”.

“Godina nr.4 është një nga ndërtesat e cila do të rikonstruktohet sipas projektit të kancelares gjermane Angela Merkel, i cili po zbatohet nga KFË-ja. Kjo e fundit ka ndihmuar edhe në rikonstruksionin e godinave të studentëve të Fakultetit të Inxhinierisë, tashmë të përfunduara, e ndërkohë po vijon punën për rikonstruksionin e 4 godinave të tjera në Qytetin Studenti. Në total, Bashkia e Tiranës ka rikonstruktuar 22 konvikte për studentët që studiojnë në Tiranë”, thuhet në deklaratën e Bashkisë së Tiranës.

Në fund të reagimit, Bashkia e Tiranës akuzon Lulzim Bashën se në katër vite në krye të këtij institucioni nuk rikonstruktoi asnjë godinë dhe pretendon se në vizitën në fjalë, Basha nuk shoqërohej nga studentë, por nga të rinj të Forumit Rinor të Partisë Demokratike.

“Lulzim Basha, në sytë e qytetarëve të Tiranës si ish kryetar i Bashkisë është një zero, i cili nuk do të bëhet kurrë Kryeministër me një CV të mbushur me zero në çdo punë të dhuruar nga partia, që po e shkatërron përditë. CV-në e mbushur me zero nuk do mund t’ia pastrojnë as videot e xhiruara nëpër Tiranë me figurantë të marrë borxh nga Forumi Rinor i PD-së”, mbyllet deklarata e Bashkisë së Tiranës.

Nga Partia Demokratike ka reaguar zëdhënësja, Ina Zhupa. Zhupa thotë se Bashës nuk i nevojitej leja në këtë vizitë.

“Atëherë kur mendon se ka prekur limitet e qesharakes Erion Veliaj befason sërish. Këtë herë, përtej fasadës që përcjell në videot dhe fotot e propagandës së tij, ndihet i frikësuar nga vizita që kryetari i PD i bën disa të rinjve në dhomën e tyre në konvikt. Atë që s’e ka bërë dot Ramiz Alia në grahmat e komunizmit në qytetin Studenti, mundohet ta realizojë pinjolli i rilindjes në krye të bashkisë moniste. Në asnjë vend të botës së lirë kryetari i opozitës nuk pengohet të vizitojë një ambjent publik apo të takojë studente. Kjo mund të ndodhë në Korenë e Veriut. Ose në Tiranën e Erion Velisë. Ku thjesht një vizitë i tremb për vdekje se mos çjerr fasadën që përcjell propaganda, Edi Rama, Erion Veliaj dhe gjjthë të tjerët të jenë të sigurt se Lulzim Basha do të vijojë të takojë qytetare çdo ditë. Askush nuk mund ta ndalojë misionin e opozitës. Të tregojë të vertetën që propaganda e stisur dhe e blerë shtrenjtë nga oligarkët e qeverisë përpiqet t’u servirë shqiptarëve”, shkruan Zhupa.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë