Largimi i Elseid Hysajt nga Napoli është një telenovelë që zgjat prej shumë kohësh. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u duk i larguar në merkaton e dimrit, pasi me trajnerin Karlo Ançeloti po luante gjithmonë e më pak, por situata ndryshoi me Gatuzon, i cili e ka kthyer shkodranin titullar. Megjithatë, agjenti i lojtarit kuqezi, Mario Xhufredi, deklaron se është në kërkim të skuadrës së re të Hysajt. Kjo mund të jetë edhe një formë presioni për Napolin.
Për “Canale 8”, gjatë eventit “Italian Sport Awards”, Xhufredi tha këto fjalë për të ardhmen e Elseid Hysajt: “Gjatë ndeshjes me Sampdorian, ku Napoli fitoi, lojtarët e mi, Di Lorenco, Hysaj dhe Mario Rui u paraqitën shumë mirë, ashtu siç kanë bërë që në fillim me Gatuzon. Nuk mund të bëjmë që tani llogari të sakta për verën, por nuk dua që Hysaj dhe Di Lorenco të qëndrojnë te Napoli. Dinamika e merkatos nuk të lejon të kryesh gjithmonë transferimin që do, por jam duke punuar për ta çuar Hysajn në një skuadër tjetër”.

Për Hysajn ka pasur gjithmonë zëra dhe bisedime konkrete, siç ishte rasti i Romës në verë, por edhe pistat angleze e spanjolle. Gjithsesi, në asnjë rast Napoli nuk është bindur nga oferta financiare për mbrojtësin e djathtë. Ndoshta vërtet verën e ardhshme Hysaj do të ndërrojë skuadër dhe ndoshta edhe kampionat. Deri tani ai ka luajtur vetëm në Itali, me Empolin dhe Napolin. Emri i shkodranit është përmendur në disa klube prestigjioze, si Çelsi, Totenhem, Atletiko Madrid dhe Roma. E rëndësishme për Hysajn është të kalojë në një skuadër, ku mund të luajë rregullisht.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje