Siguria e Rrjetit 5G në Ballkan dhe përballja me rrezikun e ndërhyrjes kineze dhe ruse në këtë treg, ishte tema e forumit të organizuar në SHBA, ku morën pjesë ish-ministri Fatmir Mediu, në cilësinë e bashkëkryetarit të këtij Forumi për Sigurinë, si dhe ministri socialist për Diasporën, Pandeli Majko.
Ndërtimi me shpejtësi i rrjeteve 5G nga Kina, tendenca për të dominuar në këtë treg, si dhe ndërhyrjet për të shpërndarë teknologjinë kineze edhe në vendet e Ballkanit, janë kthyer në një shqetësim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mundësia e aksesit nga ana e kinezevë në shkëmbimin e informacioneve, kryesisht ushtarake mes vendeve anëtarë të NATO-s, është një rrezik real për interesat e vende të Ballkanit, u shprehën gjatë këtij takimi përfaqësues të Kongresit Amerikan.

Gjatë këtij takimi, Mediu, i cili edhe më herët në takimet që zhvilluar në vendet e rajonit, si Kosovë, Mal i Zi, është shprehur mbi këtë rrezik potencial, theksoi se Shqipëria është duke punuar në bashkërendim me aletatët e saj amerikanë, në forcimin e kapaciteteve dhe teknologjisë 5G.
“Eshtë lançuar kohët e fundit e ideja e rrjetit 5G edhe në Shqipëri dhe për fatin e mirë ne jemi në një marrëdhënie të avancuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria është vendi i tretë që po nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me SHBA, bazuar mbi Protokollin e Pragës dhe besoj që është një lëvizje në drejtimin e duhur. Dhe në këtë pikëpamje kompanitë mobile që operojnë në Shqipëri janë të lidhura në këtë pozicion, që ka të bëjë më sigurinë 5G, shmangien e investimeve që cënojnë sigurinë dhe interesat tona kombëtare, sidomos patneritet tonë në NATO” u shpreh kryerepublikani Mediu gjatë fjalës së tij në këtë Forum Sigurie.

Mbi 1 miliard dollarë amerikanw investime parashikon projektligji që kanë propozuar një grup senatorësh amerikanë në përshpejtimin e ndërtimit të rrjeteve 5G dhe avancimin e kësaj teknologjie, në mënyrë që të përdoret në fushat më jetike të shoqërisë, qoftë në banka, spitale, hoteleri, telefona privatë, por edhe në shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacioneve të klasifikuara.
“Siguria e miqve dhe aleatëve tanë në rajon. Ne do të flasim pikërisht për rëndësinë e kësaj, sidomos përballë kërcënimit të Kinës dhe të Rusisë”, thotë gjenerali Jim Jones, i cili ka qenë këshilltar i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë dhe Komandant i NATO-s në Europë.
Zëri Amerikës në lidhje me këtë tryezë të mbajtur në në mjediset e Senatit amerikan në Uashington, bën të ditur se Jones ka theksuar se “kur flasim për rrjetet 5G, ne duhet të flasim për një 5G të sigurtë, sepse kjo është çështja më e vështirë. Teknologjia kineze nuk mund të eksportojë kurrë rrjete të sigurta, ata nuk mund ta bëjnë këtë. Por ne do ta bëjmë. Kemi zhvilluar teknologji që do t’i ndajmë me miqtë dhe aleatët dhe do të mbrojmë jo vetëm sekretet shtetërore por edhe pronën intelektuale për kompanitë e mëdha, bankat, spitalet, madje edhe telefonat privatë”. Në këtë tryezë kanë qenë të pranishëm deputetëve dhe ministra të vendeve të rajonit si të Serbisë, Kosovës, Maqedoni, Mali i Zi, Bosnje-Hercegovinës, por edhe nga shtetet e BE-së.

Ambasada e SHBA-ve i ka bërë thirrje qeverisë shqiptar që të ketë kujdes në dhënien e licencës 5G që AKEP ka hapur kohët e fundit, duke krijuar jo pak debat në Shqipëri.
“Duhet të dëgjojmë partnerët tanë amerikanë kur bëhet fjalë për rrjetet 5G. Jo të gjitha kompanive që ndërtojnë këto rrjete mund t’u besojmë të dhënat tona personale. Ndonjë prej tyre mund ti përdorë për qellime të tjera. Duhet të forcojmë legjislacionin tonë për ti pamundeduar këto kompani dhe të rrisim sigurinë e sistemeve tona informatike”, do të deklaronte kryetari i grupit të PS-së, Balla gjatë një takimi të zhvilluar në Parlament.
Disa javë më vonë zv.ambasadorja Leyla Moses-Ones vlerësoi qëndrimin e mbajtura nga Shqipëria që nënkuptonte bllokimin e kopmanive kineze për rrjetin 5G. Numri dy i ambasadës tha se “Shqipëria ia ka bërë të qartë Kinës se disa gjëra nuk janë për t’u shitur”. Në dhjetor të vitit të shkuara, qeveria shqiptare miratoi “Memorandumin e mirëkuptimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për sigurinë 4 G dhe 5 G”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje