Futboll

Largim gratis nga Barcelona, ja klubet e mëdha që po tentojnë Mesin!

Stuhia është gati të shpërthejë mbi qiellin e Barcelonës. Pas debatit mes Erik Abidalit dhe Lionel Mesit, e mërkura ishte një ditë qetësie, ditë dialogu, në përpjekje për të bërë “paqe”. Presidenti Bartomeu ishte në Bruksel, por që para kthimit me urgjencë në Barcelonë filloi që ta qetësonte situatën. Ai foli fillimisht me Mesin dhe më pas me Abidalin. Me këtë të fundit ka zhvilluar një takim që zgjati më shumë se dy orë, por francezi vazhdon punën, pasi nuk ka as shkarkim dhe as dorëheqje të tij.

Megjithatë, te Barcelona këto janë ditët e frikës. Edhe pse janë të gjithë të bindur se Mesi nuk do ta braktisë klubin, ku bën pjesë që prej vitit 2000, kur te katalanasit situata fillon të trazohet, në “Camp Nou” mund të ndodhë gjithçka. Dashuria e Leos për klubin dhe qytetin, si dhe komoditeti i një jete spektakolare, tashmë janë përballë disa çështjesh më pak romantike. Humbjet me Romën dhe Liverpulin në Europë, pamundësia për të ndërtuar një skuadër kompetitive, ikja e Nejmarit dhe më pas dështimi për rikthimin e tij, për të ardhur deri te largimi i trajnerit Valverde e te përplasja me drejtorin sportiv Erik Abidal… Janë të gjitha çështje që, duke shtuar edhe klauzolën që e lejon Mesin të largohet gratis në verë, bëjnë të mendohet për ndarjen e argjentinasit me katalanasit.

Lionel Mesi. Gazeta Si, 6 shkurt 2020

Pyetja që shtrohet në këtë moment është: kush do ta marrë Mesin? Sigurisht, klubet që ia lejojnë vetes të mendojnë për afrimin e mundshëm të 6 herë fituesit të “Topit të Artë” janë pak. Duke përjashtuar destinacionet ekzotike, të pasur por jo kompetitivë, menjëherë del në skenë Mançester Siti i Guardiolës, apo edhe Mançester Junajtid. Edhe PSG e Nejmarit është kandidate, pasi dy miqtë mund të bashkohen sërish, por jo në “Camp Nou”.

Hipoteza, por shumë më pak të mundshme janë edhe Juventusi, që e ka treguar se mund të bëjë edhe “blerjen e pamundur”, por edhe Interi, që ka një kolos financimi si “Suning”. Në çdo rast, nuk bëhet fjalë vetëm për një transferim futbollistik. Për të marrë Mesin duhen financat, një strategji e qartë dhe globale marketingu dhe një merkato e fuqishme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë