Futboll

Rikthim në të kaluarën, ndryshon data e mbylljes së merkatos në Angli

Në Premier League kanë vendosur të bëjnë një hap prapa. Klubet e nivelit më të lartë të futbollit anglez kanë votuar pro ndryshimit të mbylljes së afatit të merkatos verore. Ata kanë rënë dakord që merkatoja verore të jetë e hapur deri më 1 shtator. Në 2019-ën, merkatoja në kampionatin anglez është mbyllur më 8 gusht, para fillimit të sezonit.

“Sot, gjatë një mbledhjeje të drejtuesve të futbollit, klubet e Premier League kanë votuar pro ndryshimit të datës së mbylljes së merkatos verore për sezonin e ri, 2020/2021, – shkruhet në njoftimin zyrtar të Federatës Angleze. – Data e mbylljes së merkatos, siç ka qenë traditë, do të jetë fundi i gushtit. Në 2020-ën, lëvizjet e futbollistëve gjatë merkatos së verës do të lejohen deri më 1 shtator, ora 17:00. Klubet kanë gjetur akordin, pasi kanë diskutuar në lidhje me këtë argument në mbledhje të mëparshme”.

Nga një ndeshjes mes Liverpulit dhe Mançester Junajtid. Gazeta Si, 6 shkurt 2020

Anglia u bashkohet kështu kampionateve të tjera të mëdha në Europë, duke fshirë një vendim që kishte sjellë diskutime, sepse i penalizonte skuadrat e Premier League në raport me rivalët europianë. Vendimtar në këtë çështje ka qenë vullneti i klubeve më të mëdha në Angli. Në këtë mënyrë, klubet e Premier League, do të kenë edhe më shumë se tri javë kohë se më parë për të bërë transferime lojtarësh në merkaton e verës, çka do të thotë se shtohen shanset që kampionati anglez të ketë edhe më shumë lojtarë në përbërje të tij. Aktualisht, kampionati anglez është nga më joshësit për futbollistët e njohur, si për anën sportive, ashtu edhe për atë financiare.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë