“Loro Boriçi” pret sot “klasiken” e futbollit shqiptar, ose derbin e Shqipërisë, siç quhet ndryshe Vllaznia-Tirana. Ekipi më i vjetër ndaj atij më të titulluar në vend. Ndeshje që gjithmonë kanë prodhuar emocione në fushë dhe në shkallët e stadiumit, por kohët e fundit edhe shumë polemika e përplasje mes grupimeve të tifozëve. Sot, në orën 18:00, luhet akti i radhës, i vlefshëm për javën e 21-të të Superiores që nis pikërisht me këtë sfidë.
Atmosfera është nxehur disi nga deklaratat para ndeshjes, ku veçohet ajo e administratorit të klubit shkodran, Suad Lici, një ish-lojtar i Tiranës, i cili pas barazimit në Ballsh akuzoi se dikush po i shtronte rrugën skuadrës bardheblu për ndeshjen e sotme. E sigurt është se ngacmimet mes tifozëve nuk do të mungojnë dhe policia e shtetit dhe klubi shkodran duhet të shtojnë masat e sigurisë. Sa i takon fushës, favorite në këtë 90-minutësh konsiderohet Tirana.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Emanuel Egbo gëzon një formë mjaft të mirë, ka 7 fitore radhazi dhe renditet e dyta, pas Kukësit. Tirana lufton për titullin kampion, ndërsa Vllaznia duhet të sigurojë së pari qëndrimin në Superiore. Nuk është ndeshje vendimtare, sepse kampionati ka edhe shumë javë përpara, por sigurisht që ka ndikim në ecurinë e mëtejshme. Shkodranët, me tifozët në krah, do të japin gjithçka për arsyen e thjeshtë se për ta mjafton të mundin Tiranën dhe e kanë “fituar titullin”. Vllaznia e ka kualitetin si skuadër për një ndeshje të tillë, ndërsa trajneri Mirsad Jonuz e ka treguar se është një strateg.
Tirana nuk do të ketë në fushë mesfushorin shkodran Edon Hasani, i cili mungon prej javësh për shkak dëmtimi. Kryeqytetasve do t’u bënte punë edhe barazimi në këtë transfertë, megjithatë asgjë nuk mund të parashikohet. Është nga ato ndeshjet tipike ku vendosin episodet dhe skuadra që është e aftë t’i shfrytëzojë më mirë ato, arrin objektivin. Java e 21-të e Superiores vazhdon nesër me katër ndeshjet e tjera. Kukësi kryesues pret Laçin në fushë asnjanëse, Partizani pret Flamurtarin e shpërbërë dhe Teuta Luftëtarin. Në Korçë përplasen Skënderbeu dhe Bylisi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje