Partia Demokratike akuzon Qeverinë se u përpoq që të mbajë të fshehtë raportin e agjencisë vlerësuese të kreditimit, Standard & Poor’s, pasi sipas opozitës, raporti i agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit të kreditimit paraqet gjendjen e zymtë në të cilën ndodhet aktualisht ekonomia shqiptare.
Ish-deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku tha se ekonomia e mbylli 2019 me një bilanc negativ, ku konsumi është në nivelet më të ulta, gjysma e shqiptarëve në kushte varfërie, të ardhura të munguara prej 116 milionë eurosh në buxhet dhe rënie drastike e besimit tek ekonomia nga bizneset dhe qytetarët.
“Këta tregues janë domethënës të filozofisë Rama të qeverisjes, taksa të rritura me rreth 2 miliardë euro, faturë stratosferike e PPP dhe borxhi publik i rritur në nivelet e 83% duke përfshirë dhe koncesioent dhe PPP. Këtë situatë të të mjerueshme të ekonomisë e reflektoi dhe raporti i fundit i S&P që qeveria refuzoi ta bënte publik. Raporti S&P i cili tregon shëndetin e financave të vendit si dhe mundësinë për të paguar borxhin që ka Shqipëria, tregon situatën dramatike në të cilën ndodhet ekonomia”, tha Tabaku.
Sipas ish-deputetes demokrate, raporti i S&P provon se problemet akute të ekonomisë shqiptare janë borxhi i lartë, shpenzimet e luksit të Qeverisë dhe kërcënimi që buron nga skemat e partneritetit publik-privat.
“Raporti është një dëshmi që tregon e bardhë mbi të zezë se ekonomia informale është e vetmja ekonomi në Shqipëri, se euroizimi i tregut vendas nuk vjen si pasojë e tregtisë, por si pasojë e ekonomisë së errët dhe kanabizimit. Raporti i Standart and Poor’s rivërteton edhe një herë që Shqipëria ka një rrezik që vjen nga PPP-të të cilat po bëhen gjithnjë e më të pakontrollueshme. Qeveria nuk ofron asnjë siguri se do të respektojë tavanin e përcaktuar për pagesën e PPP-ve siç nuk ofron asnjë garanci për të kontrolluar kontratat dhe eficencën e tyre”, vijoi Tabaku.
Këtyre rrisqeve, PD u shton edhe kërcënimin e fundit që sipas opozitës mban emrin Korporata e Investimeve, si një mekanizëm për të fshehur borxhin publik.
“Ajo që e rrezikon tanimë Shqipëri është fshehja e borxhit përmes Koorporatës së Investimeve dhe strukturën e dobët të borxhit. Koorporata e Investimeve është një minë me sahat në ekonominë dhe buxhetin e një vendi në zgrip të varfërisë. Siç është paralajmëruar edhe nga opozita kjo Koorporatë nuk ka për qëllim mirëqenien e shqiptarëve, por vetëm të disa individëve që nuk prodhojnë dhe as ndihmojnë ekonominë, por, që vetëm centralizojnë pushtete dhe prona në pak duar”, deklaroi ish-deputetja demokrate.
Në vlerësimin e saj, agjencia “Standard & Poor’s” konfirmoi vlerësimin B+, i njëjti vlerësim që është mbajtur për pesë vitet e fundit, ndërkohë që sipas Partisë Demokratike, ky vlerësim jo vetëm që nuk u rrit, por u paralajmërua se mund të ulet.
“S & P paraajmëron se do të ulë vlerësimin për Shqipërinë duke pasur parasysh këto tregues dhe faktin se nuk ka më asnjë hapësirë as për stimuj fiskalë, duke qënë se politika e taksave deri më sot ka qënë klienteliste duke penalizuar shumicën e favorizuar pakicën”, deklaroi Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje