Kryeministri Edi Rama pas vizitave zyrtare në Uashington dhe në Abu Dhabi mblodhi mëngjesin e së hënës kryesinë e PS-së për të diskutuar mbi organizimin e partisë dhe për situatën politike të krijuar pas largimit të disa kryebashkiakëve që u prekën nga ligji i dekrimininalizimit.
Kryesia diskutoi sot edhe në kuadër të Kongresit të PS-së që do të mbahet më 29 shkurt, ku është diskutuar edhe për axhendën politike të forumit më të lartë të kësaj partie.
Por në këtë mbledhje të Kryesisë është vendosur të ndryshohet sërish statuti i PS-së, duke vendosur që të preken në tërësinë e saj. Blerina Gjylameti dhe Alket Hyseni janë caktuar për të realizuar këto ndryshime. “Kushtetuta” e re PS-së pritet të paraqitet për t’u miratuar në Kongresin e 29 shkurtit. Thjeshtimi i statutit, vendosja vetëm e disa parimeve është synimi kryesor në këtë nismë të re, duke bërë që për çështje të caktuara të merret vendimi nga Asambleja e PS-së apo nga Kryesia e PS-së.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla pas mbledhjes së Kryesisë u shpreh se Kongresi është institucioni më i lartë i partisë dhe përcakton rregullat e partisë.
“Siç e përmenda më lart se duke e cilësuar se statuti i partisë është si Kushtetuta për vendin kemi përshtatur edhe këto rregullave që do t’i paraqiten Asamblesë. Me zgjedhjen e delegatëve të kongresit, jemi partia e parë në vend dhe në pjesë më të madhe me partitë e tjera në Europë, që kemi përfaqësuar idenë e bashkëdrejtimi, për një përfaqësim të barabartë në strukturën organizative të partisë. Proces transparent në zgjedhjen e kandidatëve. Disa rregullime në statut”, theksoi Balla.
Numri dy i PS-së gjithashtu ka bërë të ditur se axhenda politike e PS-së nuk është programuar për vitin 2020, por është e shtrirë në kohë deri në qershor të vitit 2021, duke nënkuptuar kohë parashikohet mbajtja e zgjedhjeve të parlamentare. Kështu Balla hodhi poshtë në mënyrë kategorike edhe kushtin e opozitës për të mbajtur zgjedhje të parakohshme.
Kongresi i fundshkurtit do të zgjedhë Asamblenë e PS-së, më pas kjo do të zgjedhë edhe Kryesinë e re.
Sa i përket çështjes së Shkodrës ku PS nuk ka ende kryetar, Balla theksoi se me Kongresin do të ketë edhe një drejtues të ri. Sekretari i Përgjithshëm i PS-së foli edhe për vakancat e krijuara në bashki. “Presidenti ka qenë dhe mbetet në moszbatim të detyrave kushtetuese që ka. Zoti president është vënë në dijeni nga institucionet përkatës për vakancën e krijuar, është presidenti që duhet të zgjohet dhe të respektojë Kushtetutën”, theksoi Balla. Vora, Shkodra dhe Durrësi janë tre bashkitë që kanë mbetur pa kryetar për shkak se të zgjedhurit nga PS u prekën nga dekriminalizimi dhe Sako e qytetit bregdetar dha dorëheqjen. Ndërkaq pezull janë edhe çështjet për kryebashkiakun e Mallakastrës dhe të Vaut të Dejës, për të cilët opozita ka kërkuar që prokuroria e përgjithshme t’i verifikojë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje