Verona e Marash Kumbullës dhe Amir Rrahmanit është surpriza e Serisë A dhe një meritë të padiskutueshme në ecurinë e saj ka pa dyshim trajneri Ivan Juriç. Për trajnerin kroat është një sezon magjik dhe hapi i radhës është i natyrshëm, një klub më i madh se Verona, si për shembull, Napoli.
“Sky Sport” bën me dije se trajneri Juriç është kandidati numër 1 për të marrë drejtimin e Napolit në verë, duke zënë vendin e Gatuzos. Nëse ky i fundit nuk bind deri në fund të kampionatit, drejtuesit e Napolit synojnë të marrin trajnerin e Veronës. Napoli po kalon një moment shumë të vështirë dhe me Gatuzon në stol ka pak gjasa të ndryshojë, kështu që bashkëpunimi me kroatin Juriç është marrë shumë seriozisht që tani.

A mund të jetë kjo një lëvizje edhe për të ardhmen e Marash Kumbullës, një zbulim pikërisht i trajnerit Juriç? Në fakt, Napoli është interesuar për mbrojtësin e Kombëtares dhe madje ka bërë ofertë konkrete, por futbollisti shkodran ka plane të tjera, do një klub më të madh. Megjithatë, situata mund të ndryshojë nëse Juriç zëvendëson Gatuzon. Gjithçka mbetet e hapur. Te Napoli ka firmosur Rrahmani dhe nuk është çudi të firmosë edhe Kumbulla. Sidoqoftë, trajneri kroat, edhe nëse nuk merr me vete Kumbullën, do të ketë dy shqiptarë në skuadër, Rrahmanin dhe kapitenin Elseid Hysajn, i cili kohët e fundit ka filluar të luajë më shumë dhe mund të qëndrojë te Napoli.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje