Politike

SHBA kundër reciprocitetit të Albin Kurtit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë kundër idesë së reciprocitetit mes Serbisë dhe Kosovës, e hedhur nga kryeministri i ri, Albin Kurti. Qëndrimi i prerë ka ardhur nga i dërguari i Shtëpisë së Bardhë për dialogun Kosovë-Serbi, ambasadori Richard Grenell, i cili sipas Radio Europa e Lirë, është kundër masave të reciprocitetit, që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i ka paralajmëruar kundër Serbisë.
Zëdhënësi i tij, Dick Custin, tha për Radion Evropa e Lirë se Grenell e inkurajon Kosovën që ta heqë taksën 100% ndaj prodhimeve të importuara nga Serbia, pa reciprocitet.
“Kosova duhet ta heqë taksën ndaj mallrave të Serbisë, pa reciprocitet. Jo vetëm ta pezullojë, por ta heqë plotësisht atë. Ambasadori nuk e mbështet idenë e reciprocitetit”, ”, tha Custin.
Kosova u ka vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina në nëntor të vitit 2018. Kurti, i cili ka marrë detyrën e kryeministrit javën e kaluar, ka thënë se kjo masë do të zëvendësohet me reciprocitet ndaj Serbisë.
Pas formimit të qeverisë së re të Kosovës, i dërguari i Trump, Grenell ka qenë tepër aktiv, duke kërkuar që qeveria e Prishtinës të marrë një vendim dhe të heqë taksën ndaj Serbisë. Në një postim, në rrjetin social, Tëitter, disa ditë më parë ambasadori Grenell i është drejtuar kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli duke shkruar “Kadri, Shtetet e Bashkuara po kërkojnë që Kosova të heqë tarifat 100%. Ato dëmtojnë Kosovën dhe pengojnë bizneset në krijimin e vendeve të punës. Albini ka të drejtë për këtë”, ka shkruar Grenell.
Të enjten edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, i bëri thirrje kryeministrit Kurti që “të mos ngutet” me tarifat.

“Taksa ndaj importeve serbe ka qenë vendim dinjitoz i shtetit tonë për t’iu kundërvënë sulmeve të njëpasnjëshme që Serbia ka bërë kundër Kosovës. Shpreh shqetësimin për ngutinë e tepruar të kryeministrit të ri për të përmbushur kërkesat e Serbisë dhe për të rehatuar Listën Serbe, e cila u largua nga qeveria e kaluar për shkak të taksës. Një qeveri ka rënë si pasojë e taksës, gjë që ka dobësuar për një kohë Kosovën. Prandaj, nuk duhet të ketë manovrime politike për këtë temë të ndjeshme, e cila rrezikon ta dëmtojë më tej vendin tonë. Qeveria e re duhet të mos të dorëzohet para Serbisë përpara sfidave dhe vendimeve të mëdha që e presin Kosovën”, shkroi zoti Veseli në rrjetet sociale. Ndërsa edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj me anë të letre të hapur i ka kërkuar Kurtit të mos e heqë taksën për mallrat serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë