Shtetet e Bashkuara të Amerikës akuzojnë katër oficerë të lartë të ushtrisë kineze si personat që qëndrojnë pas një sulmi kibernetik që shënjestroi agjencinë e vlerësimit të kreditimit Equifax në vitin 2017.
Më shumë se 147 milionë amerikanë u prekën nga sulmi në fjalë, kur hakerat arritën që të sigurojnë të dhëna të ndjeshme, duke përfshirë emra dhe adresa të klientëve të kësaj agjencie.
Kryeprokurori amerikan, William Barr tha se bëhet fjalë për një prej sulmeve kibernetike më të mëdha në histori. Sipas dokumentave të zbuluara në gjykatë, katër autorët e dyshuar janë ushtarakë të regjimentit shkencor të ushtrisë kineze. Ata kanë shpenzuar javë të tëra brenda sistemeve të Equifax, duke thyer rrjetin e sigurisë dhe duke shkarkuar të dhënat personale.

Mes akuzave është edhe ajo e vjedhjes së sekreteve tregtare. SHBA nuk është në gjendje që të verifikojë vendndodhjen e autorëve dhe askush nuk pretendon që katër personat e akuzuar të arrestohen dhe të dalin para drejtësisë amerikane. Këtë e bëri të qartë edhe vetë zv.drejtori i FBI, David Bowdich. “Nuk mund t’i arrestojmë, t’i gjykojmë, apo t’i dënojmë, të paktën jo së shpejti”, tha ai.
Por, më shumë se kapja dhe burgosja e tyre, deklarata e autoriteteve amerikane kishte si synim që t’i përcillte palës kineze se është në gjendje që të zbulojë dhe identifikojë edhe personat që qëndrojnë pas një sulmi kompleks kibernetik. Këtë e theksoi edhe kreu ekzekutiv i Equifax.
“Hetimi në fjalë është garanci se agjencitë tona e marrin shumë seriozisht krimin kibernetik, sidomos atë që sponsorizohet nga shtete të tjera”, deklaroi Mark Begr.
Sulmi për të cilin akuzohen katër ushtarakët kinezë besohet se ka ndodhur mes majit dhe korrikut të 2017. Pas zbulimit, vetë kompania Equifax pagoi 700 milionë dollarë tek Komisioni Federal i Tregtisë si gjobë për dështim në përmbushjen e parametrave të sigurisë.
Kjo nuk është hera e parë që SHBA akuzon anëtarë të ushtrisë kineze se qëndrojnë pas sulmeve kibernetike të kompanive private amerikane. Në 2014 u kap sulmi i parë i tillë dhe një vit më vonë, dy vendet nënshkruan një marrëveshje në përpjekje për të shmangur metoda të tilla.
Megjithatë, pas rastit të 2017, SHBA iu rikthye denoncimeve publike për të shtuar presionin ndaj Pekinit, i cili nuk ka reaguar ende për rastin në fjalë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje