Politike

3 ditë kohë për pezullimin e gjyqtarëve e prokurorëve, Rama: Instrument kundër KÇK-së

Paketat ligjore të kaluara këtë të mërkurë në Parlament Kryeministri Edi Rama i cilësoi si fundi i epokës së pafuqisë së institucioneve për të vepruar ndaj asaj që e cilësoi si organizatë kriminale në sistemin e drejtësisë.

“Sot i vjen fundi pafuqisë ligjore për të reaguar në mënyrë urgjente ndaj të gjithë atyre që do të vazhdojnë të përdorin çekiçin e drejtësisë për akte kriminale ndaj vetë ligjit, drejtësisë dhe shoqërisë”, tha ai.

Ndryshimet e kaluar cekin edhe Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë, që i mundësohet që të reagojë menjëherë në rastin dyshimesh për vendime në kundërshtim me ligjin nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Sot i japim një fuqi të re ILD, duke i thënë mundësi që ILD të reagojë menjëherë ndaj vendimeve haptazi korruptive dhe kriminale të gjykatësve, duke kërkuar brenda 3 ditësh pezullimin nga detyra. I japim në dorë qeverisë së re të sistemit tonë gjyqësor, Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor instrumentin e pezullimit të menjëhershëm duke i hapur rrugë fillimit të menjëhershëm të hetimeve për gjykatësit në fjalë, pa pritur vettingun. Nis menjëherë verifikimi i figurës, menjëherë verifikim i pasurisë dhe e treta të pezulluar, të verifikuar në figurë dhe pasuri dhe nëse dalin të njollosur, menjëherë hapjen e procesit penal dhe dërgimi bashkë me shokët pas hekurave”, vijoi Rama.

Rama tha se me “Operacionin Forca e Ligjit” është tronditur krimi i organizuar në palcë, ndërsa për kritikët, edhe ata në media pati një përgjigje.

“Në media ka njerëz të paguar nga krimi i organizuar për të mbrojtur krimin e organizuar, duke folur për të relativizuar aktet për njerëz që kanë shrytëzuar vajza të familjeve të varfra për t’i çuar në rrugët e prostitucionit, për njerëz që kanë helmuar gjakun e të rinjve duke futur drogë dhe që kanë marrë pjesë intensivisht në rrjetet e krimit të organizuar ndërkombëëtar dhe që janë të dënuar nga drejtësia ndërkombëtare, apo edhe nga drejtësia e lodhur shqiptare për këto vepra”, u shpreh Kryeministri.

Rama iu përgjigj edhe akuzave se përse nuk e nis operacionin anti-KÇK nga politika. Ai tha se politika nuk mund të kontrollojë vetveten dhe se për këtë punë po ngrihen institucionet e reja të drejtësisë.

Kësaj deklarate të Ramës iu përgjigj Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi.

“Prej 6 vjetësh, Edi Rama është kryepolic, kryegjykatës dhe kryeprokuror dhe në vend që të luftojë krimin në çdo qelizë të shtetit, ka futur në burg mbi 30 mijë qytetarë që nuk paguajnë dot faturën e ujit dhe të energjisë elektrike. Nëse Edi Rama do ta kishte lënë të lirë drejtësinë, Edi Rama do të kishte përfunduar pas hekurave të burgut si kryeministri që ka vjedhur me ministrat dhe me kriminelët e tij me qindra milionë euro para dhe pasuri publike! AntiKÇK të nisë punën nga vila luksoze 2 milionë euro e Edi Ramës dhe nga shtëpitë e padeklaruara të Sandër Lleshajt!”, deklaroi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë