UEFA dhe CONMEBOL (Konfederata e Amerikës së Jugut) kanë zhvilluar në Nion një takim bashkëpunimi, ku drejtuesit kanë rënë dakord për disa ndryshime në të ardhmen dhe kanë firmosur edhe një marrëveshje. Pjesëmarrës ishte edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka.“Kjo marrëveshje, – ka shpjeguar presidenti i UEFA-s, Aleksandër Ceferin, – është baza e një bashkëpunimi më të madh, që do të jetë gjithmonë e më i ngushtë për zhvillimin e futbollit në dy kontinentet”.
Në veçanti, marrëveshja parashikon shkëmbimin e arbitrave mes dy konfederatave. Nga Amerika e Jugut do të jenë disa arbitra që do të gjykojnë disa ndeshje të Euro 2020, ndërsa disa arbitra nga Europa do të gjykojnë ndeshje të Kupës së Amerikës. Kështu do të veprohet edhe në ndeshjet e Champions League dhe të Kupës Libertadores.

Gjatë takimit është diskutuar edhe për rikthimin e Kupës Interkontinentale, ku ndeshen skuadrat fituese të Championsit dhe Kupës Libertadores. Një trofe që nuk është organizuar më që në vitin 2000, kur FIFA vendosi ta zëvendësonte me Botërorin e Klubeve. Presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, ka një ide për të krijuar që nga vera e vitit 2021 një Botëror të ri për klubet me 24 skuadra dhe edicioni i parë është menduar të zhvillohet në Kinë. Ky është një vendim që është marrë nga drejtuesi i lartë i FIFA-s, pavarësisht se drejtuesit europianë dhe ata amerikano-jugorë e kanë kundërshtuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje