Futboll

15 mijë tifozë jashtë fushe, pasioni s’bie kurrë nga kategoria

Një “ushtri” me tifozë që do të kujtohet për vite me radhë. Do të jenë rreth 15 mijë tifozë të Hamburgut që do të bëjnë 150 kilometra rrugë që ndajne qytetin e tyre nga Hanoveri. Nuk bëhet fjalë për gjysmëfinalen e kampionatit, siç ndodhte sezonin 1937-38, por për ndeshjen e javës së 22-të të Bundesligës 2, kategorisë së dytë të futbollit gjerman. Është diçka e veçantë, sepse në Gjermani nuk kujtohet një skuadër që të jetë në gjendje të marrë me vete në transfertë 15 mijë tifozë për një ndeshje të këtij niveli.

Hamburgu, që në vitin 2018 ra për herë të parë në histori nga Bundesliga, vitin e shkuar dështoi të rikthehej, duke bërë një paraqitje shumë të dobët në gjysmën e dytë të sezonit. (19 pikë në 17 ndeshje). Zhgënjimi ishte jashtëzakonisht i madh, por tifozët nuk e braktisën kurrë skuadrën, përkundrazi, e mbështetën më fort atë. Për ndeshjen me Hanoverin ishin në dispozicion 8000 bileta për sektorin e tifozëve miq, ndërsa 7000 bileta të tjera janë marrë nga tifozët e Hamburgut në sektorët që teorikisht janë të rezervuar për të zotët e shtëpisë.

Tifozët e Hamburgut i vënë “flakën” stadiumit. Gazeta Si, 15 shkurt 2020

Me 40 pikë në 21 ndeshje, Hamburgu mban aktualisht vendin e dytë në klasifikim dhe është plotësisht në garë për ngjitjen në Bundesligë. Kjo ka bërë që në radhët e tifozëve entuziazmi të jetë i madh. Për herë të parë këtë sezon stadiumi i Hanoverit është i gjithi i ezauruar (kapaciteti i tij është 49 mijë vende). Qyteti është përgatitur për këtë event me organizime të ndryshme argëtuese pranë stadiumit. Gjithashtu, janë krijuar linja transporti publik enkas për të shoqëruar njerëzit për në stadium.

Në Gjermani është normale në fakt që stadiumet të jenë plot edhe në kategoritë inferiore. Mjafton të kujtohet që në sezonin 2012-13 Lajpcigu, i sapo themeluar, në ndeshjen e parë ndaj Lote, e vlefshme për ngjitjen nga kategoria e katërt në të tretën, u mbështet në “Red Bull Arena” nga 30.104 tifozë. Rekord historik për futbollin diletant gjerman. Nga Hamburgu do të shkojnë në Hanover 15 mijë tifozë dhe ky është vërtet një eksod.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë