Futboll

Profesor Daja ndal Tiranën, Skënderbeu merr pikë në kryeqytet

Në tapetin stadiumit të ri zbriti sot edhe këngëtarja e njohur tiranase e muzikës popullore, Merita Halili, që për koincidencë ka të njëjtin mbiemër me presidentin e Tiranës, Refik Halilin, por ajo nuk i ka sjellë fat skuadrës bardheblu në fushë.

Tirana kishte marrë superxhiro me Emanuel Egbo në krye dhe dukej e pandalshme. Duhej të vinte ndeshja me Skënderbeun e drejtuar nga Ilir Daja, ish-trajneri i Tiranës që ia di pikat e dobëta kësaj skuadre dhe i kishte marrë masat mjaft mirë, duke bllokuar ingranazhet lëvizëse të lojës së saj. Në “Air Albania Stadium” korçarët kanë marrë 1 pikë, pas barazimit 1-1, madje mund të kishin fituar, nëse Gripshi do të ishte treguar më serioz në kohës shtesë. Tiranën e ka shpëtuar nga humbja mbrojtësi Hoxhallari, megjithatë, për lojën që u zhvillua, barazimi është rezultati më i drejtë.

Moment nga ndeshja Tirana-Skënderbeu, 1-1. Gazeta Si, 15 shkurt 2020

Dejdi Bregu heshti tifozët e Tiranës në pjesën e parë, duke shfrytëzuar në zgjuarsi ngatërresën e Dokës dhe Çelhakës në zonën e tyre. Kryeqytetasit barazuan me brazilianin Kale çerek ore para fundit të ndeshjes. Tirana krijoi volum të madh loje, por nuk ishte e qartë në fazën finalizuese.

Ky barazim është edhe një lloj asisti për Kukësin dhe Partizanin, i pari për t’u shkëputur në 3 pikë, kurse i dyti për t’u afruar me kreun. Kukësi i Duros luan në Ballsh me Bylisin, ndërsa Partizanin në shkon në fushën e Laçit. Kukësi dhe Tirana kryesojnë renditjen e Superiores me nga 41 pikë, por kuksianët kanë një ndeshje më pak.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë