Presidenti Ilir Meta zbuloi versionin e tij sesi u justifikua Ardian Dvorani para ekspertëve të Venecias për arsyen se përse nuk e kishte dorëzuar në të njëjtën ditë si në Presidencë, ashtu edhe në Kuvend listën me kandidatët për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese.
“E dini se çfarë u ka thënë ai ekspertëve të Venecias?! U ka thënë shiko nuk i bëra dot të dyja në një ditë se pata shumë punë administrative, fotokopje dhe gjëra kështu”, deklaroi Meta i ftuar këtë të hënë në emisionin “Open”.
Meta i referohej faktit që listat me emrat e kandidatëve për anëtarë të Gjykatës Kushtetuese në vjeshtën e vitit të kaluar, megjithëse u miratuan nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në Presidencë mbërritën një javë para se të mbërrinin në Presidencë.
Meta këmbëngul se Dvorani është mekanizmi që mazhoranca po përdor për të kapur Gjykatën Kushtetuese dhe duke kujtuar deklaratën e bërë thuajse një vit më parë nga Pogradeci, ku përmendi dorëheqjen dhe vetësakrificën, ashtu si Salvador Allende.
“Jam i përgatitur për gjithçka me ta dhe e kam bërë këtë një vit më parë në Pogradec qëndrimin tim”, tha ai.
Por si do t’i kundërvihet Meta mazhorancës
“Ata veprojnë me ligje, unë veproj me dekrete dhe me popullin shqiptar. Nëse me shkarkojnë ata mua, i shkarkoj unë më parë me popullin. Ata të shkarkuar janë. Ata po sillen si një bandë! Miratojnë ligje mbi ligje për të trembur mediat, njerëzit, bizneset. Kanë humbur çdolloj legjitimiteti, kanë frikë nga vota e qytetarëve shqiptarë”, vijoi Meta.
Megjithatë, Presidenti thotë se ende nuk ka ardhur momenti për t’iu drejtuar qytetarëve.
“Kur të vijë momenti do t’u drejtohem qytetarëve shqiptarë. Nuk ka ardhur ende momenti. Kur të vijë do t’u drejtohem qytetarëve dhe aty nuk mbaj unë më përgjegjësinë”, deklaroi Presidenti.
Sa i takon operacionit të fundit të mazhorancës përmes ligjit special për pasuritë e krimit të organizuar dhe ligjit të njohur si antiKÇK kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve të korruptuar, Presidenti mendon se i shërbejnë propagandës së Rilindjes për të kapur Gjykatën Kushtetuese. Kapjen e kësaj gjykate, Meta e cilëson si kryeKÇK-ja.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje