Lulzim Basha lë sërish hapur derën e protestave për të kundërshtuar vendimet e mazhorancës socialiste, për të cilat thotë se opozita e bashkuar ka një papajtueshmëri të plotë dhe që sipas tij, kërcënojnë liritë themelore të qytetarëve.
Kryetari i Partisë Demokratike foli me gazetarët në përfundim të takimit me aleatët, që zgjati rreth 60 minuta. Më herët Basha ishte në Presidencë ku u takua me Ilir Metën. Takimi ishte thirrur nga Presidenca për të njohur opozitën me qëndrimin e Metës për ndryshimet e fundit të mazhorancës që i heq këtij institucioni ekskluzivitetin e betimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese.
“Ne do të marirm çdo vendim si opozitë. I bëj thirrje çdo qytetari, përtej bindjeve politike që hapa të tillë që rrëzojnë Kushtetutën t’i ndalojmë. Kur bie Kushtetuta çdokush është i rrezikuar. Të drejtat e tyre janë të rrezikuara”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati deklaroi se opozita është e përqëndruar në tre rrafshe, të dëgjojë njerëzit drejtpërdrejtë, të përqëndrohet tek shëndetësia, arsimi dhe siguria publike dhe tek plotësimi i kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman. Basha foli për rrotacion të pashmangshëm, por tha se opozita po punon që ky rrotacion të vijë pa kosto për shqiptarët.
“Nuk do të ketë forcë mbi tokë të ndalë ardhjen në pushtet të opozitës së bashkuaar dhe qytetarëve. Mbetem i përkushtuar që procesin ta realizoj me duhet që kjo të vijë pa kosto për shqiptarët, gjithçka që kjo të vijë me koston më të vogël për shqiptarët”, u shpreh Basha.
Basha e cilësoi ligjin e miratuar nga mazhoranca si gërmadhë të një demokracie të asgjësuar tashmë.
“Ne kemi vendosmëri për të ndjekur pikë për pikë udhërrëfyesin gjerman për daljen nga kriza, zgjedhje të lira dhe të ndershme sa më parë, që arrihen duke përfunduar reformën zgjedhore dhe duke u dhënë shqiptarëve mekanizmin që shit-blerja e votës të mos përsëritet më. Për ne Parlamenti është shpërndarë, nuk ekziston më. Çdo ligj i këtij Parlamenti i ndërmarrë nga një mazhorancë ilegjitime është nul për ne”, u shpreh ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje