Kryedemokrati Lulzim Basha paralajmëron daljen në shesh më 2 mars në mbështetjen e kauzës së shpallur nga presidenti për të reaguar ndaj asaj që e cilëson si një grusht shteti.
Me anë të një statusi në rrjetet sociale, kryedemokrati i jep mbështetje direkte qëndrimeve të presidentit Meta, e shton se thirrja e lëshuar nuk është për partitë.
“Kapja e Gjykatës Kushtetuese do të thotë asgjësim i të drejtave dhe lirive të çdo qytetari. Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të kthehet 30 vite prapa.Shqipëria gjendet në një krizë të thellë kushtetuese, krahas krizës ekonomike që të gjithë shqiptarët e përjetojnë përditë. Si qytetarë, nuk mund të mbyllim sytë kur shteti ligjor merret peng, kur institucionet shkatërrohen, dhe demokracia është në rrezik”, shprehet Basha në postimin e tij.
Sipas kryedemokratit, thirrja e Presidentit nuk është për partitë politike, apo për të djathtët apo të majtët, por për qytetarët shqiptarë që të mbrojnë themelin e demokracisë që është Kushtetuta.
“Si qytetarë që duam që vendi të bëjë hapa para drejt konsolidimit të demokracisë, duhet t’i përgjigjemi çdo thirrje në mbrojtje Kushtetutës dhe funksionimin demokratik të institucioneve të pavarura. Prandaj unë e mbështes tubimin e thirrur nga Presidenti për Kushtetutën! Duhet ta kujtojmë gjithmonë se sovrani është populli. Dhe ushtrimi më i lartë i këtij pushteti është të largojmë me zgjedhje të lira e të ndershme këtë Qeveri të dështuar”, shprehet Basha.
Për liderin e opozitës zgjidhja e krizës vjen me anë të zgjedhjeve rë lira, duke nënkuptuar zhvillimin e tyre pas realizimit të reformës zgjedhore.
“Kushtetuta ka rënë, asaj i ka mbetur vetëm kapaku! Prandaj na duhet një zgjidhje politike për ta futur Shqipërinë në rrugën e duhur. Për të zgjidhur krizën ku është futur vendi, për tu kthyer qeverisjen shqiptarëve, për tu kthyer bashkitë shqiptarëve, për tu kthyer ekonominë shqiptarëve, për të garantuar drejtësinë e pavarur nga politika, ka NJË ZGJIDHJE DEMOKRATIKE: PËRFUNDIMI NË KOHË I REFORMËS ZGJEDHORE DHE MENJËHERË MBAJTJA E ZGJEDHJEVE TË LIRA E TË NDERSHME! “, thekson Basha.
Pas qëndrimit të kreut të LSI, Monika Kryemadhit pro protestës së thirrur nga kreu i shtetit, tashmë kësaj lëvizjeje i bashkohet edhe PD. Më 18 shkurt, presidenti Meta thirri në një takim liderin e PD për të diskutuar mbi situatën politike, pas miratimit të ligjit për zhveshjen e kompetencave të kreut të shtetit nga emërimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Fillimisht u duk një tërheqje e Bashës sa i përket nisjes së protestave të thirrura nga presidenti, por siç duket opozita me 2 mars mund të nisë sezonin e protestave.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje