Presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar zyrtarisht se Richard Grenell do të vazhdojë të jetë i dërguar Special për dialogun Kosovë-Serbi edhe pasi të marë detyrën në krye të Inteligjencës Amerikane.
Megjithatë Trump tha të djelën, se do të emërojë një ambasador të ri në Gjermani.
I pyetur nga Zëri i Amerikës, presidenti e konfirmoi se Grenell, i cili do të jetë tanimë pjesë e Administrarës Trump, do të vazhdojë të udhëheqë bisedimet Kosovë Serbi.
“Do të emëroj një ambasador të ri në Gjermani. Ambasadori Grenell do të vazhdojë si i dërguar për Kosovën dhe Serbinë pasi po bën një punë shumë të mirë. Ai i njeh mirë zyrtarët. Ka bërë punë fantastike. Do ta vazhdojë. Të gjithë thoshin se ishte një marrëveshje e paarritshme, por ai e realizoi. Ishte diçka shumë pozitive për këto të dyja vende”, tha presidenti duke iu referuar marrëveshjes së fundit për rihapjen e transportit hekurudhor e rrugor Kosovë-Serbi.
Presidenti i bëri komentet në Shtëpinë e Bardhë para se të nisej për vizitën e tij në Indi. Ai e emëroi të mërkurën e kaluar Ambasadorin Richard Grenell si kreun e përkohshëm të Inteligjencës Kombëtare.

Grenell është një nga njerëzit më të besuar të presidentit amerikan Donald Trump. Ashtu si presidenti edhe ai ka qenë këmbëngulës për arritjen sa më parë të një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka kërkuar në mënyrë të prerë që Kryeministri Albin Kurti të heqë taksën ndaj produkteve serbe dhe të mos vendoset reciprociteti me Beogradin. Por kryeministri i Kosovës nuk është tërhequr deri më tani nga ideja e reciprocitetit.
Richard Grenell është ambasador i Shteteve të Bashkuara në Gjermani që nga muaji maj i vitit të kaluar.
Me ndërmjetësimin e tij, deri më tani Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar dy marrëveshje, atë të hapjes së linjës ajrore Prishtinë-Beograd dhe marrëveshjen për linjën hekurudhore.
Zoti Grenell, ekspert i politikës së jashtme, është themelues i firmës “Capitol Media Partners” në vitin 2010, që ofron konsulencë për çështje të jashtme.
Grenell ka qenë mes të tjerash zëdhënës i 4 ambasadorëve të Shteteve të Bashkuara në OKB për shtatë vjet, 2001-2008, duke e mbajtur këtë post më gjatë se çdokush tjetër.
Ai mban gradën Master për Administratën Publike nga universiteti i Harvardit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje