Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo i ka kërkuar sot Kosovës që të heqë tarifën ndaj mallrave serbe dhe të shfrytëzojë momentin e krijuar pas nënshkrimit të marrëveshjes për rikthimin e fluturimeve direkte Prishtinë-Beograd si dhe linjave hekurudhore.
Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Morgan Ortagus, tha përmes një komunikate se gjatë takimit në Uashington me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, Pompeo ishte ndalur tek gjykata speciale për krimet e luftës dhe tarifa ndaj Serbisë.
“Sekretari Pompeo ripohoi mbështetjen për një Kosovë të pavarur dhe sovrane. Ai po ashtu, ritheksoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për Gjykatën Speciale, puna e të cilës është jetike për të sjellë drejtësi për viktimat dhe për të forcuar shtetin ligjor në Kosovë”, thuhet në komunikatën e zëdhënëses së Departamentit të Shtetit.
Ndërkohë që kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar nisjen e procedurave për shkarkimin e tij, nga Uashingtoni Thaci ka dërguar një mesazh për heqjen sa më parë të taksës dhe forcimin e ushtrisë së Kosovës.
Pas takimit me sekretarin amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, presidenti Thaçi ka shkruar në rrjetin social, Facebook se ka marrë përkushtim maksimal nga ana e qeverisë amerikane dhe personalisht të sekretarit Pompeo ndaj Kosovës.
Gjatë qëndrimit në Uashington, presidenti Thaçi ka zhvilluar takime edhe në Depatamentin e Mbrojtjes, ku është pritur nga nënsekretari Amerikan i Mbrojtjes së SHBA-së, David L. Norquist. Sipas zyrës së shtypit të Pentagonit, Renquist mbështeti Kosovën në vitin e saj të parë të një plani tranzitor 10 vjeçar për Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcat e Sigurisë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje