Politike

Dvorani i gjen shkelje Metës: Na sulmoi pa vend, vetëngrirja e procesit e pabazuar

Komisioni hetimor parlamentar thirri kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvoranin për të dëshmuar për procesin e emërimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Mazhoranca thirri Dovranin për të gjetur një spirancë shpëtimi për të akuzuar presidentin për shkelje të Kushtetutës sa i përket procesit të emërimit të anëtarëve Gjykatës Kushtetuese, ku më kryesorja për mazhorancës tejkalimi i afatit 30 ditor.
Që në fillim të fjalës së tij, Dvorani ka theksuar se ka qenë një shkresë e 31 gushtit të vitit të kaluar ku sipas tij i kërkonte një llogari dhe kjo për të është në tejkalim të kompetencave kushtetuese. Por kreu i KED-së la të nënkuptonte se kjo kishte të bënte Zhaklina Peton dhe se presidenti interesohej për aplikantët që kishin konkurruar dy vendet vakante që ishin të presidentit për t’u zgjedhur.

Komisioni hetimor, kreu i KED-së, duke zhvilluar seancën dëgjimore. Gazeta “Si” 28 shkurt 2020


“Presidenti iu drejtua Këshillit duke i tërhequr vërejtje. Ky nuk është një komunikim i thjeshtë i Metës në gjykimin tim. Problematikë është fakti që Meta i drejtohet Këshillit që të na orientojë të përzgjedhim kandidatët më të mirë. Në këtë proces janë 4 palë, presidenti, kuvendi, KED dhe GjKdhe asnjëra nuk është superiore ndaj tjetrës. Kjo jo se ka ndonjë gjë të keqe, por mua më duket e pavend një diçka e tillë. Presidenti i vonuar në kohë dhe në tejkalim në funksionin kushtues. Tërheqja e vëmendjes është e pavend. Ne e kishim përfunduar procedurën e verifikimit të kandidatëve dhe ishte vetëm një që kandidonte për dy vende vakante dhe për mendimin tim personal nuk është një veprim i duhur. Ne nuk mund të bënim nxjerrjen e pikëve në mbledhje të veçanta, i nxorëm në të njëjtën ditë, në të njëjtën mbledhje”, deklaroi Dvorani.

Kreu i KED-së duke dëshmuar para komisionit hetimor parlamentar. Gazeta “Si”, 28 shkurt 2020

Dvorani u dha përgjigje edhe pyetjeve të anëtarëve të Komisionit Hetimor, në lidhje me miratimin e listave për vakancat e krijuara në Kushtetuese. Sipas Dvoranit, nuk është detyrë e KED që të merret me radhën, pasi sipas tij, Këshilli e mbyll punën e tij në momentin e miratimit të listave.
Kreu i KED-së iu përgjigj edhe pyetjes se pse kishte dërguar katër emra te presidenti në një kohë që ligji përcakton se duhet të jenë tre të tillë, duke deklaruar se ky ishte vendimi kolegjial i marrë në mënyrë që të dërgohen katër emrat.
Gjithashtu Dvorani, edhe pse u shpreh se Kushtetuta nuk i vë afat 30 ditor për zgjedhjen, Meta kishte kohë 24 ditë për të zgjedhur kandidatin, por në të njëjtën kohë nuk mund të pezullonte procesin e emërimit. “Këtë të drejtë nuk e ka askush që të vetëngrijë procesin, as presidenti. Vetëm Gjykata Kushtetuese mund të vendosë një diçka të tillë. Është njësoj sikur ju të thoni se po e pezulloni procesin e zgjedhjes së presidentit si Parlament, duke u kapur te procedurat administrative”, theksoi më tej kreu i KED-së.

Dvorani, kreu i KED-së. Gazeta “Si” 28 shkurt 2020

Deputetët e opozitës së re, anëtarë të Komisionit Hetimor për Metën kanë theksuar qëndrimin e tyre kundër përfshirjes së emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si objekt të këtij hetimi.
“Unë nuk dua të jem pjesë e një procesi hetimor që nuk bëhet në bazë të rregullave”, u shpreh deputeti i opozitës, Adriatik Alimadhi. Ndërsa deputeti Zeneli deklaroi se “do të marrin pjesë në këtë debat për të qartësuar opinionin publik me atë që ka ndodhur”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë