Partia Socialiste shpalli objektivin për një mandat të tretë qeverisë, ky kryesocialisti kërkoi që ai të arrihet me 300 mijë vota. Kryeministri Edi Rama e nisi fjalimin e tij me një surprizë për delegatët duke nxjerrë në sallën kryesore të Kongresit të PS-së, delegatin më të ri socialist, Zeqiriun, i moshës 100-vjeçare. Për këtë, Rama i kërkoi të gjithë delegatëve që të ngriheshin në këmbë për të nderuar delegatin më të vjetër, veteranin e luftës. Gjatë fjalës një orëshe të tij, Rama është fokusuar tek ajo çfarë përfaqëson Partia Socialiste duke e cilësuar si partia më patriotike në historinë e saj të pas demokracisë. Pjesën më të mirë të fjalimit ia kushtoi dhe kërcënimeve të presidencës për besëlidhjen e re dhe ndaj asaj opozite, apo kundërshtari politik që Rama e cilësoi si boshe dhe që nuk ka ndonjë kundërshtar.

Rama tha se aleanca kundër drejtësisë së re, po kërkon të bëjë një besëlidhje të dytë të Lezhës nga ana e presidentit. “Kthe kokën pas s’ka kundërshtar, shiko para, është bosh, vërtet dalin shajnë e bërtasin, janë si goditjet e lugëve në tenxhere bosh. Dhe në këto kushte ne duhet ta lexojmë këtë rrezik, se njerëzit e ndjejnë shumë më shumë se ne ‘boshin’. Ne përjetojmë gjithë goditjen sulmet, e akuzat. Duke qenë të rrethuar nga boshi, ndjehemi si qendra e botës. Po njerëzit nuk i shohin këto. Njerëzit po presin besëlidhjen e dytë të Lezhës më 2 mars, do ngatërrojnë Gjergj Kastriotin me armiqtë e betuar të reformës në drejtësi. Po e bëjmë të mundur ne, po ndodh sot reforma në drejtësi. Tani këta aleanca kundër drejtësisë së re, do bëjë besëlidhjen e dytë të Lezhës, duke ndenjur këtu, pa u lodhur të shkojë në Lezhë. Nuk i shohin njerëzit fare, njerëzit shohin nga ne. Duhet të shohim përtej atyre me të cilat jemi mësuar të fitojmë. Nesër nga ne do të kërkohet shumë më tepër. dhe s dua të merrem me katandisjen e konkurrentëve. janë katandisur si karikatura të vetes së tyre, po duhet te kuptojmë se ku ‘boshi’ është armik i rrezikshëm”, tha Rama. Sipas tij, armiqtë e vërtetë të PS-së janë vetë socialistët pasi nuk kanë asnjë kundërshtar politik tjetër përballë dhe se mandati i tretë qeverisës është objektivi që duhet të synojë sipas tij bërjen e shtetit.

“Nuk mundet dot që të marrim 800 mijë vota, të gjithë energjinë për të shkuar para, nëse nuk bëjmë ndryshe disa gjera që kemi refuzuar t’i bëjmë gjatë gjithë kohëve. Shkalla e ulët e komunikimit të deputetëve me komunitetin, është tipologji, me përjashtime që përforcojnë rregullin. Është e papranueshme, në kushtet kur jemi rrethuar nga boshi. Çfarë shohin njerëzit në media?! Asgjë thuajse! Shohin gjëra që janë dekurajuese, dhe një pjesë e madhe janë të pavërteta. Kush do e mbush këtë boshllëk? Ne kemi sot të gjitha bashkitë e vendit, ne e bëjmë atë punë më mirë se të tjerët. Është ndryshe kur je aty dhe s’ke fare njeri dhe të gjithë presin nga ty. Madje mund të të kërkojnë shumë më tepër se ti mund të bësh. Në mandat të tretë për të bërë trefishin e gjërave që kemi bërë sot, po. Për të materializuar ato që kemi mbjell dhe kemi kultivuar, po”, theksoi Rama. Ndërsa i ka dhënë përgjigje skeptikëve se pse shumë prej ministreve janë teknike dhe jo politike. “Na akuzojnë, po pse keni parë gjë të keqe nga faktin që erdha unë në krye të PS-së. Ne duhet të jemi shumë të qartë. Nuk merret një mandat i tretë si inerci e dy të parëve, nuk na duhet një mandat i tretë nëse nuk jemi në gjendje të bëhemi tre herë më të fortë, të vetëdijshëm dhe rigoroz me vetveten. Mandat të tretë për t’u bërë shëmbëlltyra e konsumit dhe rraskapitjes, shkoni kërkojeni pa mua. Mund ta merrni por do të dilni nga zyrat e shtetit, si të mallkuar. Siç ka ndodhur me të tjerë më parë. Mandat të tretë për të bërë trefishin e gjerave deri më sot, po. Për të materializuar të gjitha ato që kemi filluar të ndërtojmë, po. Për të bërë atë që tha Etilda (ministrja e Drejtësisë) që mos të flitet më për reformë në drejtësi, por për drejtësi, për shkatërrim të llumit përballë drejtësisë, patjetër po”, tha Rama.

Amnisti financiare dhe rritje të pagës minimale
Edhe pse ka më shumë se një vit larg zgjedhjeve parlamentare, kryeministri Edi Rama nga Kongresi i PS-së kanë dhënë disa premtime elektorale nga Kongresi i PS-së. Premtimi i parë është caktimi i pagës minimale në vlerën e 30 mijë lekë nga 26 mijë lekë që është aktualisht.
Ndërsa premtimi tjetër është ai për një amnisti fiskale, që do të prekë jo vetëm shqiptarët, por edhe emigrantët. “Do të kemi amnisti të përgjithshme për të gjithë shqiptarët brenda e jashtë vendit me afat të kufizuar që të gjitha asete t’i deklarojnë paratë nëpër banka, asetet t’i deklarojnë dhe jo një apo dy organizata por bota mbarë të ngrihet e të thotë kjo nuk bëhet, kjo do të bëhet se ne jemi për të punuar për ata që na kanë sjellë këtu e fëmijët e tyre. Edhe emigrantët nuk mund të rrinë e të mbajnë para në banka andej, as të torturohen për të çuar 5 mijë euro se u nis pastrimi i parave, as të tmerrohen për të blerë një shtëpi, se ku i gjete, ku nuk i gjete paratë. Ata që nuk i kanë paratë me drogë, terrorizëm, prostitucion me krimet që parashikohen te ligji special, ose ata që janë politikanë gjykatës, prokurorë dhe subjekte të deklarimit, këta janë të përjashtuar dhe do të japin llogari nga unë i pari, herët ose vonë, për çdo gjë që kemi, ku e kemi si e kemi, secili t’i dali për zot”, theksoi Rama. Me fjalimin e kryesocialistit mbylli punimet dhe sesioni i Kongresit, për të vijuar më pas me paraqitjen e ndryshimeve në statut dhe me votimin për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Asamblesë së PS-së, forumi i lartë i socialistëve që do të zgjedhë më pas edhe Kryesinë e PS-së.
Balla dhe sulmet e Metës ndaj reformës
Kongresit të Partisë Socialiste nisi ditën e dytë të punimeve me një video të ngjarjeve më kryesore të muajve të fundit, ku përfshihet protesta e Partisë Demokratike, por edhe tërmeti i 26 nëntorit. Kryesocialisti Edi Rama në këtë event të rëndësishëm të partisë që drejton ishte veshur sportiv, me atlete dhe me çitjane.

Ndryshe nga një ditë më parë, Rama nuk ishte shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. Në hyrje të hollit, Rama është pritur nga sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla dhe më pas është takuar me Presidentin e Partisë Socialiste Europiane, Sergei Stanishev.
Para fjalës hapëse të Sekretarit të Përgjithshëm, në Pallatin e Kongreseve u mbajt 1 minutë heshtje për viktimat e tërmetit. Numri dy i PS-së, Taulant Balla gjatë fjalës së tij u shpreh se PS-ja do të synojë mandatin e tretë qeverisës me kryeministër Edi Ramën. Ndërsa një pjesë të mirë të fjalimit, Balla ia ka kushtuar sulmeve ndaj presidentit Ilir Meta dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha, duke theksuar se ata janë bërë bashkë me një aleancë kundër reformës në drejtësi.
Gjatë fjalës së tij para anëtarëve të PS-së, Balla pohoi se ky grup, ndërsa nuk ngurroi që t’i etiketonte me fjalën “hienë’, nuk kursen momentet e vështira që kaloi Shqipëria, siç ishte dhe tërmeti i 26 nëntorit. Ai pohoi se në këtë aleancë të pështirë, presidenti Meta qëndron pas shpine, Bashën në krah dhe Monika Kryemadhin në çizme.

“Kontributi i socialistëve ka spikatur edhe në momente të vështira e delikate që ka kaluar vendi ynë në ngjarje me ngarkesë të madhe politike si refuzimi i tentativës për uzurpimin e demokracisë nga Presidenti famëkeq me projekt-kushtetutën e vitit 1994, zgjedhjet e 26 Majit 1996, kriza e piramidave në 1997, miratimi i Kushtetutës në 1998, kontributi i pazëvendësueshëm i socialistëve në Qeveri në luftën e Kosovës përpara, gjatë dhe pas vitit 1999, beteja për transparencën e zgjedhjeve 2010-2011. Prej korrikut 2016 në Shqipëri rreshtimi i krahëve në politikën shqiptare nuk është vetëm në nocionet bazë e majtë – e djathtë, shumicë – pakicë apo pozitë – opozitë. Prej atij momenti në Shqipëri u krijua një aleance e pështirë kundër Reformës në Drejtësi, me Sali Berishën ne balle, Ilir Metën pas shpine, Lulzim Bashën në krah dhe Monika Kryemadhin në çizme!”, tha Balla.

Ndërsa është munduar që japë sqarime edhe për akuzat që po i drejtohen prej kohësh se pse e zgjodhën Metën si president, apo u bënë bashkë në një koalicion politik qeverisë në mandatin e parë të qeverisjes.
“Ka disa qe na kritikojnë sot për koalicionin me LSI gjatë mandatit të parë ose shumë na thonë tani edhe pse zgjodhëm Ilir Metën President. Këtyre kritikëve ju them se ne nuk jetuam për zgjedhjet e radhës në mandatin tonë të parë, nuk shitëm qëllimet dhe nuk bëmë kurrë Pazar për objektivat në mandatin e parë. Ne bëmë punë të mira në atë koalicion dhe Ilir Metës i dhamë thjesht hakun, si pjese e koalicionit (pasi presidentin me vetëm votat tona s’e zgjidhnim dot) po edhe si më i miri president nga radhët e opozitës realisht. Ne nuk mund ta parashikonim dot, askush se dinte, qe Ilir Meta do katandisej si Veri (Ver Llapa) që u nxjerr gjuhën njerëzve tek udhëkryqi i 21 dhjetorit!”, tha gjatë fjalës së tij.
Balla nënvizoi edhe njëherë se zgjedhjet e 30 qershorit ishin demokratike dhe shqiptarët sipas refuzuan dhunën e opozitës. “Zgjedhjet e 30 qershorit ishin demokratike, siç e tha dhe OSBE-ODIHR, treguan se molotovi dhe dhuna ishin të drejtuara nga opozita e rrugës. Shqiptarët e kundërshtuan dhunën, pjesëmarrja dhe rezultate konfirmuan fitoren e padiskutueshme, mospjesëmarrja lidhet me paaftësinë për të na dalë kundërshtarë. Shqiptarët ne na shohin si e keqja më e vogël, nuk mund të jetojmë për zgjedhjet e radhës”, u shpreh numri dy i PS-së.
Ndërsa sa i përket sulmeve ndaj PD-së, Balla u fokusua te punësimi dhe hapja e bizneseve të reja, duke kundërshtuar qëndrimet e opozitës. “Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ankohet se bizneset po mbyllen, se bizneset janë nën presionin, i mbyti qeveria. Po si more Lulzim bizneset po mbyllen apo janë nën presion?! Mjafton të shohësh bizneset e tua familjare, të kunatit apo vëllait, dhe provohet tërësisht e kundërta. Rritje me disa herë e xhiros vjetore. Kjo është për ata që thonë, “ku i keni 300 mijë vendet e punës?”. Por vendet e punës as kanë gojë të flasin dhe as bëjnë lajm për të dalë në televizor. Edhe tregtia me pakicë, sipas Bankës së Shqipërisë, është rritur vit pas viti”, shtoi Balla.

Më pas, fjala i është dhënë kreut të PES-së, Stanishev, i cili vlerësoi procesin e reformave dhe të hapave që kanë ndërmarrë qeveria shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu ai kërkoi ndërtimin e urave, brigjeve të bashkëpunimit mes kundërshtarëve politikë, duke sjellë shembullin e Maqedonisë së Veriut dhe të Malit të Zi.
Më pas kongresi është fokusuar te çështjet e ndryshme, për paktin për universitetin, rindërtimin nga zonat e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit. Kështu fjalën e kanë marrë ministret Besa Shahini, Eva Margariti, zv.ministrja Romina Kuko, si dhe më pas Erjon Veliaj. Për pikën e Drejtësisë dhe sundimi i ligjit kanë folur ministrat Sandër Lleshaj dhe Etilda Gjonaj.
Reagimi i Presidencës, i kujton Ramës protestat e opozitës
Menjëherë pas mbylljes së fjalimit të kryeministrit Edi Rama erdhi edhe reagimi i presidentit Meta, nëpërmjet zëdhënësit Tedi Blushi. Me një ironi, zëdhënësi i ka kujtuar kryesocialistit Rama protestat e opozitës, ku sipas tij, ai edhe strukej. “Më në fund Gruaja e Bilalit hoqi dorë nga zanati i fotove të vjedhura dhe kaloi tek arti i gatimit me tenxhere dhe kusi, në Dhomën e Luleve te bashkia Tiranë). E sigurojmë se godina ku ndodhet Dhoma e Luleve, nga ku ajo sodiste e traumatizuar protestat e opozitës në vitet 2000, do të jetë më 2 mars godina më e sigurt në botë, e mbrojtur nga vajza dhe gra kuqezi vetëm me mimoza në duar”, shkruan Blushi në rrjetet sociale. Në fund ai kërkon që në tubimin e 2 marsit të mos qeveria të mos mobilizojë policë kot, por sipas tij, t’i dërgojë të kapin tonelatat e drogës.
Programi i Kongresit të PS për ditën e dytë
Hapja e Kongresit. Seanca e Parë
Fjala e hapjes nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant BALLA
Përshëndetje nga Presidenti i Partisë Socialiste Europiane, Sergei STANISHEV
Raportim mbi drejtimet kryesore të politikave tona legjislative dhe qeverisëse
Rindërtimi pas tërmetit të 26 nëntorit 2019
Pakti për Universitetin dhe politikat arsimore
Drejtësia dhe sundimi i ligjit
Energjia dhe Infrastruktura
Shqipëria që duam dhe turizmi
E drejta e pronës, mbrojtja e territorit dhe procesi i legalizimeve
Integrimi Europian dhe Rajonal
Fjala e Kryeministrit të Shqipërisë, Kryetarit të PS, EDI RAMA
12.00 – Seanca e Dytë
Raporti i Komisionit të Verifikimit të Mandateve, Kryetari i Komisionit, Shpëtim CAMI
Raport mbi gjendjen e strukturave të PS, Sekretari Organizativ dhe i Koordinimit Elektoral të PS, Arben PËLLUMBI
Programi Politik “ SHQIPËRIA QË DUAM 2030” , Sekretari për Koordinimin e Këshillave të Rajoneve, Ilir BEQAJ
Prezantimi i ndryshimeve dhe përmirësimeve në Statutin e Partisë, Alket HYSENI
Agjenda politike e PS deri në Qershor 2021, Sekretari i Përgjithshëm, Taulant BALLA
DISKUTIME
15.00 – Seanca e Tretë
Organizimi i procesit të votimit dhe numërimit të votave për zgjedhjen e anëtarëve të Asamblesë Kombëtare dhe të Komisionit të Garancive Statutore & Etikës të partisë
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)

























Lini një Përgjigje