Në ditën e dytë të Kongresit të PS-së është marrë vendimi për ndryshimin e statutit të Partisë Socialistëve. “Kushtetuta” e PS-së për herë te parë ka përfshirë rastet e përjashtimit nga partia, për ato persona që nuk rrëfejnë të vërtetën nëse kanë pasur probleme me drejtësinë. Kjo për të shmangur fenomenet që iu shpërthyen socialistëve me kandidimin e kandidatëve për kryetarë bashkie që me pas rezultuan se kishin qenë të dënuar, si Valdrin Pjetri apo dhe Agim Kajmaku. Një nga hartuesit e këtij dokumenti, Alket Hyseni u shpreh se “për herë të parë kemi sanksionuar që kushdo që në përballje me ligjin nuk është treguar transparent, ai nuk mund të jetë më në radhët e Partisë Socialiste dhe përgjegjësia do të jetë personale. Do të përpiqemi të bëjmë verifikimet vetë dhe pavarësisht se çfarë bëjnë institucionet, ne do të marrim masat tona”.
Mbledhja për miratimin e statutit të PS-së në Kongres u zhvillua me dyer të mbyllura dhe mësohet se nuk ka pasur ndonjë debat për ndryshimet e paraqitura. Në sesionin e dytë, të Kongresit, u miratuan ndryshime teknike në statutin e PS-së. U vendos krijimi i Librit të Rregullave që përmbledh rregulloret e organeve të partisë, kodin e zgjedhjeve, kodin e etikes, çdo udhëzim për funksionimin e institucioneve te PS. U fut në statut koncepti i bashkëdrejtimit burrë-grua, që më parë ishte si udhëzim nga kryesia e PS.
Ndërsa mësohet se nuk është marrë në konsideratë kërkesa me 10 pika e 8 mocionistëve që kërkuan ndryshime të thella në statutin e PS-së, duke nisur që nga njohja e fraksioneve, ndarja e mandatit të kryetarit të PS-së me ato si posti i kryeministrit, president e ministër, si dhe që kandidatët për Parlament dhe kryebashkiakë të zgjidheshin me votë nga strukturat lokale të PS-së. Gjithashtu kërkohej edhe ndëshkimi i atyre që përfshihen në krimet zgjedhore. Nga ana e sekretariatit Organizativ u theksua se letra nuk kishte paraqitur sipas rregullave dhe nuk u hodh për votim.
Sa i përket kërkesës së letrës me 10 pika për mocion, socialisti Hyseni tha se “Jo se nuk u morën për bazë u diskutua me vëmendje, disa kishin të bënin me statutin që ishin të ezauruara. Kërkesat i paraqiten grupit të punës, të gjitha ata shokët që disa ishin anëtarë partie dhe disa jo. Në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë do të shtrohen për diskutim”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje