Futboll

Hallaçi trajner i përkohshëm te Kukësi, Gega mbetet favorit

Në stolin e Kukësit pritet të ulet trajneri kampion, Skënder Gega, por për momentin klubi kuksian duket kërkon të marrë edhe pak kohë. Presidenti i skuadrës veriore, Safet Gjici, pas barazimit në Durrës me Teutën vendosi të mbyllte bashkëpunimin me Shpëtim Duron. Rezultatet e tri javëve të fundit të kampionatit, me 2 pikë nga 9 të mundshme, ndikuan në shkarkimin e Duros.

Kur pritej zyrtarizmi i gegës, klubi verior bën të ditur se ekipi do të drejtohet në stërvitje nga Rrahman Hallaçi, ish-kapiteni i Kukësit, deri në zyrtarizmin e trajnerit të ri. “Konferenca e prezantimit të trajnerit nuk do të zhvillohet ditën e sotme. Nesër ekipi do të dalë në stërvitje dhe trajner i përkohshëm do të jetë ish-kapiteni Rrahman Hallaçi, që rikthehet te Kukësi pas një aventure të suksesshme si futbollist. Prezantimi i trajnerit të ri do të bëhet në një moment të dytë”, shkruhet në njoftimin zyrtar të klubit kuksian sa i takon çështjes së trajnerit.

Rrahman Hallaçi, trajneri i përkohshëm i Kukësit. Gazeta Si, 1 mars 2020

Pas shkarkimit të Duros në skenë doli emri i Skënder Gegës si favorit për marrjen e drejtimit të Kukësit. Pas largimit nga Partizani në fund të sezonit që shkoi, ku ai i ktheu të kuqtë te titulli kampion, Gega nuk ka drejtuar asnjë skuadër tjetër. Ai ishte shumë pranë një aventure në Arabi, por marrëveshja dështoi në momentet e fundit. Skënder Gega ka qenë shumë afër zyrtarizimit të një bashkëpunimi me Kukësin edhe para se të merrte drejtimin e Partizanit, por në atë kohë Gjici zgjodhi trajnerin serb, Mlladen Milinkoviç.

Edhe Rrahman Hallaçi u përfol si kandidat për stolin e Kukësit, por klubi sqaron se ai do ta drejtojë përkohësisht ekipin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë