Politike

Mustafa thirrje që të mbështetet Kurti: Të heqim taksën edhe si kërkesë e SHBA

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i bën thirrje Parlamentit që të votojë propozimin e Albin Kurtit për të hequr pjesërisht taksën 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Mustafa thotë se taksa “Haradinaj”nuk kishte arsyetim ekonomik, por ishte vendosur si një mjet për të mbuluar dështimet e brendshme të qeverisë së mëparshme. Ai deklaron se ishte Presidenti serb ai që i dha dimension kushtëzimi dialogu taksës.

“Prandaj kur doli në pah mundësia e pazareve me territorin ndërmjet dy presidentëve, atij të Serbise dhe të Kosovës, tarifa rrëshqiti në levën e pengimit të këtij dialogu të dëmshëm. Atëherë e kam përkrahur ish-Kryeministrin Haradinaj për vazhdimin e tarifës”, thotë Mustafa.

Por, kreu i LDK-së mendon se pas zgjedhjeve dhe pas angazhimit të SHBA përmes të dërguarit të posaçëm për dialogun, Richard Grenell taksa është thjeshtë një relikt. Mustafa e cilëson iluzion besimin se taksa mund të detyrohë Serbinë që të njohë Kosovën.

“Që po i shërben Serbisë të paraqitet si viktimë në arenën ndërkombëtare dhe disave në Kosovë si mjet i vetëm i një kauze të paqëndrueshme politike. Askujt nuk i mbushet mendja se Kosova e detyron Serbinë që ta njohë përmes tarifës. Por, shumicës dërmuese iu mbushet mendja se SHBA-të, në rend të parë, dhe BE mund ta bindin Serbinë, përmes procesit të dialogut, ta njohë shtetin e Kosovës”, vijon ai.

Për të gjitha këto arsye, Isa Mustafa kërkon që Parlamenti të mbështesë qeverinë Kurti për heqjen pjesërisht të kësaj barriere dhe bën thirrje që të mos trajtohet vetëm si një vendim i qeverisë, por edhe si kërkesë e ndërkombëtarëve.

“Të hiqet ashtu siç po kërkojnë SHBA-të. Nuk jam i sigurt që dikush nga grupet parlamentare, ose deputetët e Kuvendit, apo qeveritarët ta kenë gjetur një partner më të fortë, më meritor dhe më të përkushtuar sesa SHBA-të për shtetin dhe shtetësinë e Kosovës. E as një rrugë më me perspektivë se ajo e integrimit evropian dhe euroatlantik”, vijon ai.

Mustafa garanton në fund se LDK do ta mbështesë këtë vendim pa asnjë rezervë dhe në të ardhmen, në varësi të qëndrimeve të Serbisë do të mbështesë politikat e reciprocitetit.

“Nëse dikush luhatet, LDK, deputetët e saj dhe anëtarët e Qeverisë do të mbështesin pa asnjë rezervë dhe me besim e bindje të plotë heqjen e menjëhershme të tarifës, dhe atë jo vetëm se po e kërkon partneri ynë strategjik SHBA, por se jemi të bindur se kjo është në interes të shtetit të Kosovës. Në qoftë se Serbia, nuk e ndal fushatën kundër Kosovës dhe nuk mënjanon pengesat tregtare dhe ekonomike, LDK mbetet e përkushtuar për aplikimin e masave të reciprocitetit pas një periudhe që Qeveria e akordon me SHBA-të dhe BE-në”, mbyll qëndrimin e tij kreu i LDK-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë