Politike

Progres-raporti, KE rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë

Komisioni Europian ka rekomanduar sërish hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian të Shqipërisë.

Në progres raportin e publikuar këtë të hënë, i cili vjen mes planeve për ndryshimin e metodologjisë së anëtarësimit, Komisioni thotë se Shqipëria e meriton nisjen e bisedimeve.

“Duke parë përparimet domethënëse dhe plotësimin e kushteve të vendosura unanimisht nga Këshilli në qershor 2018, Komisioni rekomandoi në paketën e zgjerimit për vitin 2019 që Këshilli Evropian të nisë bisedimet për anëtarësim me Shqipërinë. Shqipëria ka rritur përpjekjet e saj për të arritur rezultate të prekshme dhe të qëndrueshme në pikat kyçe të identifikuara në përfundimet e Këshillit në qershor 2018. Si rezultat i kësaj, rekomandimi i Komisionit në vitin 2019 për hapjen e negociatave me Shqipërinë mbetet i vlefshëm”, thuhet në Progres Raport.

Në raportin e tij, KE-ja përcakton edhe “detyrat e shtëpisë” së vendit tonë,  të cilat, sic thotë ekzekutivi i BE-së janë kërkuar edhe nga Këshilli i BE-së në mbledhjen e tij nëntor si kusht për hapjen e negociatave.

Komisioni Europian kërkon:

– avancimin e mëtutjeshëm të procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, në veçanti mbyllen e të gjitha dosjeve prioritare , dhe përfundimin e krijimit të strukturave të pavarura gjyqësore siç parashikohet nga reforma kushtetuese.

– Përfundimin e themelimit të organeve të specifikuara, si Struktura Speciale Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit.

-Si rezultat i ritmit të rreptë të vettingut dhe largimit nga puna, pati disa vendeve vakante në të gjitha organet gjyqësore.  Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe prokurorët duhet të mbushe boshllëqet në gjykatat dhe prokuroritë më të ngarkuara.

– Finalizimi i krijimit të strukturave të pavarura gjyqësore siç parashikohet nga reforma kushtetuese. Shqipëria ka krijuar institucione të reja për pavarëinë e gjyqësorit, si Këshillin e Lartë Gjyqësor (HJC) dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (HPC), si dhe një Këshill për Emërimet në Drejtësi (JAC). Këto organe të reja të parashikuara në reformën kushtetuese 2016 janë plotësisht funksionale dhe kanë funksionuar në mënyrë efektive përgjatë vitit 2019, duke përmbushur detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore, duke garantuar qeverisjen e pavarur të gjyqësorit, që paraqet një hap thelbësor në zbatimin e reformës në drejtësi”. – thuhet në konluzionet e Raportit

Faqe nga Progres-raporti, Komisioni Europian rekomandon hapjen e negociatave me Shqipërinë, Gazeta Si, 2020

Komisioni ndalet edhe tek debati mes Presidentit dhe shumicës për Gjykatën Kushtetuese dhe pritjen e raportit të Komisionit të Venecias. “Shqipëria po bën përparim për plotësimin e Gjykatës Kushtetuese që të rimarrë funksionalitetin dhe të rrisë besimin e publikut. Tani Gjykata ka katër anëtare. Ekziston një mosmarrëveshje për një nga gjyqtarët e fundit të emëruar, për shkak të një interpretimi të ndryshëm të procedurës së emërimit nga Presidenti i Republikës. Komisioni i Venecias do të japë një opinion mbi këtë çështje në Mars 2020. Me katër anëtarët e tanishëm, Gjykata ka kuorumin minimal prej tre gjyqtarëve për të gjykuar mbi pranueshmërinë e çështjeve. Gjykatës i duhen gjashtë anëtarë të ulur në seancë plenare për të qenë plotësisht funksionale dhe të jenë në gjendje të zhvillojnë seanca dëgjimore”, thuhet në raport.

Qendrimi pro-negociatave i Komisionit Europian nuk është në fakt surprizë, pasi presidentja e ekzekutivit të BE-së, ka kërkuar prej kohësh hapjen e negociatave me Tiranën dhe Shkupin. Lajmi i mirë është se lideri kryesor europian që kundërshtonte nisjen e bisedimeve me vendin tonë, presidenti francez Emmanuel Macron i cili ka thënë së fundmi se do të hiqte veton nëse rezultatet e progres raportit të Komisionit Europian do të ishin pozitive.

I ndërthurur me metodologjinë e re të negociatave të anëtarësimit, progres-raporti i KE-së duket se heq të gjitha pengesat për dritën jeshile ndaj Shqipërisë në samitin e 27-28 marsit në Bruksel.

Komisioni Europian ndalet edhe tek kultivimi dhe trafikimi i drogës, duke deklaruar se  gjatë verës së vitit 2019, autoritetet shqiptare kanë konsoliduar luftën e tyre kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisi.

“Rezultatet paraprake të një vëzhgimi nga ajri i udhëhequr nga Italia, tregojnë se një masë e konsiderueshme e plantacioneve të identifikuara të kanabisit dhe bimëve narkotike është zhdikur dhe shkatërruar.Si rezultat, 90.175 bimë kanabisi u shkatërruan në vitin 2019 në krahasim me 35.985 bimë në 2018. Numri mbetet në një nivel të papërfillshëm në krahasim me vitin 2016, kur u shkatërruan 753.468 bimë”, thekson Komisioni.  “Përsa i përket drogave të ngurta (kokainë dhe heroinë), Shqipëria kryente operacione të policisë në shkallë të gjerë të zbatimit të ligjit. përfshirë bashkëpunimin im me autoritetet policore të vendeve fqinje. Në përgjithësi, konfiskimet e kokainës u ulën nga pothuajse 630.5 kg në vitin 2018 (nga të cilat 613.4 kg kokainë u zbulua në Durrës në një anije që vinte nga Kolumbia) në 145 kg në vitin 2019. Në janar të vitit 2020, në bashkëpunim me autoritetet greke, 1.18 ton kokainë me origjinë nga Karaibet u konfiskua në Greqi”, thekson raporti.

Një pikë e nxehtë në raport janë edhe azilkërkuesit, që sipas raportit shifrat kanë ardhur në ulje falë bashkëpunimit të Shqipërisë me homologët. “Që nga një kulmi i konsiderueshëm i kërkesave për azil në BE në vitin 2017, përpjekjet shqiptare kanë rezultuar në një ulje të kërkesave për azil me 26.6% nga 2017 në 2019. Autoritetet shqiptare kanë forcuar dialogun dhe bashkëpunimin me vendet e prekura. Në këtë drejtim oficerë ndërlidhës janë vendosur në Tiranë për kontrollet”. Sa i përket luftës kundër kanabisit, theksohet se “Në verën e vitit 2019, autoritetet shqiptare kanë konsoliduar më tej luftën kundër kultivimit të kanabisit dhe trafikimit”.

Raporti ndalet edhe te paketa anti-shpifje dhe minoriteti. “Shqipëria duhet të miratojë me shpejtësi legjislacionin zbatues të mbetur në lidhje me Ligjin kuadër 2017 për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare. Komiteti po monitoron nga afër këtë çështje dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në të ardhmen. Komiteti gjithashtu po vëzhgon nga afër zhvillimet në lidhje me ligjin për median, ku Komiteti i Venecias pritet të lëshojë një mendim në Mars” mbyllet raporti

Në fakt, KE-ja duket se nuk i ka hequr asnjë presje qëndrimit të mbajtur në majin e vitit të kaluar kur rekomandonte po ashtu hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, qendrim që u hodh dy herë poshtë nga Franca dhe Holanda, njëherë në qershor dhe njëherë në tetor,

Edi Rama dhe presidenti francez,Emmanuel Macron, gazeta Si 2020

Edhe kësaj radhe, ekzekutivi i BE-së ka hedhur poshtë çdo pretendim të eurodeputetëve skeptikë, që e akuzojnë këtë institucion për raporte joobjektive në lidhje me progresin real të të dyja vendeve.

I pyetur disa muaj më parë për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Komisioneri i Zgjerimit, Oliver Varhelyi deklaroi se vendi ynë ka treguar këmbëngulje në zbatimin e reformave, pavarësisht klimës së tensionuar dhe fragmentarizimit të thellë të politikës.

“Shqipëria ka treguar këmbëngulje në rrugën e reformave drejt Bashkimit Europian, pavarësisht krizës së tejzgjatur politike dhe skenës së fragmentarizuar të aktorëve politikë. Vendi ka prodhuar rezultate të qënësishme dhe të qëndrueshme mbi kushtet e vendosura nga Këshilli në qershor të 2018”, thotë Komisioneri i Zgjerimit.

Mes kushteve të vendosura nga Komisioni Europian është zbatimi i reformës në drejtësi, vettingu dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Komisioni nxit dy vendet që të vazhdojnë me rrugën e reformave, veçanërisht me reformat që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit, të drejtat themelore, funksionimin e institucioneve demokratike, administrata publike dhe zhvillimi ekonomik”, tha Komisioneri Várhelyi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë