Politike

Kurti i shkruan Trump: Taksa ndaj Serbisë hiqet e pjesëshme

Ndërkohë që Kuvendi i Kosovës ndodhet në një seancë të jashtëzakonshme për heqjen e taksës ndaj importeve serbe, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka dërguar letrën e tij të parë Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump si dhe Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo.

Pas kundërshtimeve të SHBA-së për heqjen e pjesshme të tarifave, ai ka informuar kreun e Shtëpisë së Bardhë për procesin e heqjes së takës. Kurti po ashtu ka njoftuar Trump dhe Pompeon se dialogun e Kosovës me Serbinë do ta udhëheq vetë si kryeministër i Kosovës

Në letrën e shkruar për Trump, Kurti ndalet edhe tek programi qeverisës dhe falënderon presidentin e SHBA-së për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.

“Qeveria ime dhe unë jemi të përkushtuar për zgjidhjen e çështjeve të mbetura ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Ne mbetemi të bindur se kjo duhet arritur brenda procesit të dialogut, i cili do të përmbyllej me njohjen e ndërsjellë të dy shteteve. Ne besojmë se kjo është e rëndësishme për integrimin e Kosovës në bashkësinë ndërkombëtare dhe arritjen e një marrëveshje historike që do të krijonte paqe stabilitet dhe siguri në Ballkan”, i ka shkruar Kurti Trumpit.

Albin Kurti, Gazeta Si, 2020

Kurti ndalet në veçanti tek heqja e tarifave ndaj mallrave që hyjnë në Kosovë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, duke shpjeguar procesin e heqjes së tarifës. Ai duket se sfidon në fakt përfaqësuesin e Trump për dialogun Kosovë-Serbi, i cili ka kërkuar heqjen e plotë dhe të menjëhershme të tarifës.

“Duke filluar nga 15 Marsi, ne do të fillojmë heqjen e tarifave për mallrat nga Serbia dhe Bosnjë Hercegovina, të cilat janë vendosur nga qeveria e kaluar. Fillimisht, do hiqen tarifat për lëndët e para, so shprehje e gjestit të mirë diplomatik dhe si shenjë për përkushtimin tonë për të punuar afër me Shtetet e Bashkuara në dialogun me Serbinë. Ne shpresojmë se veprimet tona do të kthehen me reciprocitet nga Beogradi, nga i cili presim të largojë të gjitha barrierat jo-tarifore për tregtinë me Kosovën, si dhe të ndalojë fushtatën kundër pavarësisë së Kosovës. Ne po ashtu ftojmë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian për krijimin e mekanizmave monitorues dhe sanksionues, për të siguruar që dy palët t’i përmbahen zotimeve të bëra gjatë marrëveshjeve të tanishme si dhe atyre në të ardhmen”, ka shkruar Kurti.

Kurti ka theksuar në letrën e tij se dialogun me Serbinë do ta udhëheq ai, si kryeministër i Kosovës.

“Ne jemi të vetëdijshëm se gjatë dy viteve të fundit ka pasur mungesë të theksuar të koordinimit ndërmjet përfaqësuesve të Kosovës për rolin, interesin dhe qëllimet në dialogun me Serbinë, si dhe për mungesën e qartësisë se kush flet në emër të Kosovës në skenën ndërkombëtare dhe në tavolinën e negociata. Kjo do të përfundojë me qeverinë që drejtoj unë. Qeveria dhe unë si kryeministër kemi mandatin kushtetues, vullnetin politik dhe detyrën ligjore, si dhe përgjegjësinë e plotë dhe ekskluzive për të marrë përsipër udhëheqjen e këtij procesi dhe përfaqësimin e Kosovës në nivelin më të lartë diplomatik. Presim me padurim të fillojmë punën me ju, diplomatët dhe emisarët tuaj, për ta çuar përpara këtë proces”, ka shkruar Kurti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë