Politike

Përplasje në Kuvend për mitingun e Metës

Manifestimi i thirrur nga presidenti Ilir Meta ka qenë objekt i përplasjeve politike mes mazhorancës dhe opozitës në Parlament. Deputeti i opozitës, Lefter Maliqi në fjalën e tij në Parlament bëri thirrje që të bashkohen në manifestimin e thirrur nga presidenti për të rrëzuar qeverinë Rama.

“E patë kryeministrin sapo foli, ishte i zbehtë, mezi fliste në Parlament. Sot është një ditë e shënuar e një manifestimi paqësor që do të pasohet me protestat deri në largimin e atyre që janë e keqja e vendit. Ashtu si goditën median me ligjin Antishpifje, ashtu si futën në burg Henri Çilin për të shantazhuar pronarët e tjerë të Universiteteve private. 4 muaj nga tërmeti nuk është bërë asgjë për ata që kanë ngelur në shtëpi. Deputetët e tjerë nuk marrin pjesë se janë të kapur. Duhet t’i shërbejmë demokracisë dhe popullit. Falënderoj 2 mijë qytetarët që janë nisur nga Berati”, deklaroi Maliqi. Fjalimi i tij është ndërprerë nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi, i cili kërkoi deputetit Maliqi “të flasë për problemet e popullit në seancë dhe jo të analizojë për kryeministrin Edi Rama”.

Deputeti i opozitës, Lefter Maliqi. Gazeta “Si” 2 mars 2020


Këtij qëndrimi i është kundërpërgjigjur kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i cili theksoi se organizimi i këtij tubimi sot lidhet me faktin se opozita dhe presidenti janë bërë bashkë kundër reformës në drejtësi dhe hapjes së negociatave. Sipas tij, “në ditën e votimit të reformës në drejtësi u lidh një aleancë e pështirë”, duke e cilësuar për herë të parë si politikanë të estabilishmentit të vjetër.
“Me kokën poshtë e dorën lart e votuan reformën në drejtësi, por kanë qenë shumë aktiv më pas për të penguar çuarjen përpara të reformës në drejtësi. Ndaj edhe “besëLikja” me Republikën e Re bashkë janë sot në të njëjtin front për të penguar e dëmtuar ecjen para të reformës. Ju them, të dyja janë të ndërlidhura me njëra-tjetrën”, theksoi Balla, i cili shtoi se nuk ka asgjë që e ndal reformën dhe çeljen e negociatave.

Kryetari grupit Parlamentar te PS, Taulant Balla, duke folur gjate një seance parlamentare. Gazeta “Si” 2 mars 2020

Lidhur me manifestimin e thirrur nga kreu i shtetit, Balla komentoi dhe qëndrimet e deputetit Maliqi. “Edhe ndonjë “lejfen” që vjen këtu e merr fjalën si zëdhënës i manifestimit të “besëLikes”, e po i them: as shtangist, boksier as kushdo tjetër, as gjyshja e mikut tim Bes Kallakut s’e di çfarë është reforma në drejtësi. E si mund të çohet para reforma në drejtësi jo për këtë dekadë, që kemi nisur por për më shumë se kaq?! Maliqi ka halle të tjera që nuk ia zgjidhni dot as ju e as ne. Meta prej shumë kohësh e ka humbur të drejtën për të qenë uniteti kombëtar, e ktheu Presidencën në selinë e opozitës, është e mirë që ta legalizojë. Meta mund të jetë pjesë e katërshes së opozitës, por kurrsesi nuk mund të jetë president i vendit”, shtoi Balla.

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Parlament nuk u fokusua asnjëherë te manifestimi i 2 marsit, por vetëm në çështjen e amnistisë fiskale. Ndërsa deputeti opozitës, Erion Piciri theksoi se “edhe ai mund të ishte në shesh, por nuk i pëlqejnë personat që e kanë thirrur këtë miting”. “Mbase do të jenë njerëz të tjerë që do të sjellin një përmbysje politike si në protestat në Rumani që unë të kem motivin të jem në shesh, edhe pse argumentet e tyre janë të drejta”, theksoi Piciri.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë