Partia Demokratike është tërhequr nga propozimi për financimin 100 për qind të fushatave elektorale nga ana e buxhetit të shtetit. Në vend të kësaj, demokratët kanë dorëzuar në tryezën e Këshillit Politik një propozim miks, por që kufizon ndjeshëm financimet private.
Tërheqja është mirëpritur nga socialistët, që kërkojnë kohë për gjetjen e një formule konsensuale për këtë temë, dakordësi që mund ta cojë reformën zgjedhore për miratim në Kuvend në muajin prill.
Selia blu propozoi pesë risi, që nga kufizimi i financimit privat, jo më shumë se 50 për qind e masës së financimit që subjektet politike përfitojnë nga buxheti i shtetit dhe kufizime të tjera ndaj kompanive që kanë përfituar tendera. PD thotë se propozimi i saj rregullon në mënyrë të plotë këtë tematikë.
“Është qëndrimi i hershëm i yni që duhet të jetë një zgjidhje e vetme e cila garanton që jo vetëm partitë të financohen siç duhet, por edhe transparenca, që është më e rëndësishmja, të jetë e plotë. Propozimi që bën opozita e bashkuar është një reduktim drastik i financimit që merret nga burimet private, duke çuar në standarde ndërkombëtare në raportin 66 për qind të financimit nga burimet shtetërore dhe 33% nga burimet private; duke vënë një numër kufizimesh të forta në lidhje me ata që mund të financojnë”, deklaroi në përfundim të takimit të radhës të Këshillit Politik përfaqësuesi i PD-së, Oerd Bylykbashi.
Propozimet e opozitës u mirëpritën, por jo pa rezerva nga përfaqësuesi i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri. Ai lexon me optimizëm tërheqjen e demokratëve nga propozimi për 100 për qind financime shtetërore, por sërish thotë se financimi 66 për qind nga buxheti i shtetit dhe 34 për qind nga donacionet private është sërish e pabalancuar.
“Mbase mund të gjendet një sistem më i pranueshëm i balancuar mes kontributit shtetëror dhe atij privat. Janë futur elementë të rinj garanci, si monitorim më i imët nga palët e treta, kufiri 50 mijë lekë që të bëhet përmes llogarive bankare dhe besoj se do të gjejmë një zgjidhje”, tha Gjiknuri.
Një tjetër çështje e nxehtë është edhe lista zgjedhore. PD thotë se me urdhër të Kryeministrit transferohen zgjedhës nga njëra bashki në tjetrën, duke u regjistruar në pallate të pabanueshme, e madje edhe në lulishte, që kandidatët e Qeverisë të shpallen fitues.
“Kuptuam qartë që Qeveria nuk ka asnjë masë që të garantojë që zgjedhësit të votojnë aty ku kanë vendbanimin dhe gjithashtu nuk ka marrë masa që të pajisë të gjithë shtetasit shqiptarë me dokumente identifikimi të vlefshëm për ditën e zgjedhjeve. Shumë shtetasve u ka skaduar tashmë mjeti i identifikimit dhe zgjedhësit në pamundësi ekonomike do të pengohen nga pagesa e papërballueshme për ta për t’u pajisur me dokument identifikimi”, deklaroi Oerd Bylykbashi.
Bylykbashi tha se kjo çështje do të trajtohet në Këshillin Politik, që të gjendet një zgjidhje, duke sjellë si shembull vitin 2009, kur Qeveria subvencionoi çmimin e mjeteve të identifikimit për të pajisur qytetarët me dokumentacionin e nevojshëm për të votuar.
Megjithatë, Gjiknuri i ka cilësuar si politike këto akuza, ndërsa la të hapur mundësinë që nëse shifra e personave pa mjet identifikimi është e madhe të gjenden mënyrat për nxitjen e pajisjes së tyre me to. Sa u takon listave të votuesve, përfaqësuesi socialist tha se sistemi i adresave është më i saktë, nuk ka më dublime në lista dhe asnjë person nuk mund të votojë më shumë se një herë.
Gjiknuri sqaroi se 15 marsi është një afat kohor që i është vendosur Këshillit Politik, jo Kuvendit. Qëllimi tha ai, është që të arrihet një marrëveshje në parim dhe votimi mund të shtyhet për në prill.
“Ka shumë çështje të pazgjidhura, por mos e shikoni 15 marsin si datë që të kemi të gjithë draftin. Duhet të kemi një dakordësi për të gjitha çështjet, procedura e tekstit dhe aprovimi mund të marrë edhe një muaj, por në 15 mars të kemi dakordësi për çështjet dhe më pas ekspertët të zbardhin draftet”, u shpreh ai.
Palët pritet që të punojnë në vazhdim edhe për pjesën e financimit të fushatës, që do të përfshihet fillimisht në Kodin Zgjedhor. Por, për këtë pjesë kërkohet ndërhyrje edhe në ligjin për partitë politike. Deri më tani nuk ka dakordësi për këtë çështje.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje