Futboll

Pse Zoti e pëlqen lojën e Tironës

Atë nisje që Tirana i bëri kampionatit në fazën e dytë, 9 pikë shkëputje nga Partizani, as tifozi më fanatik bardheblu nuk e kishte ëndërruar. Nuk ia lejon të mendojë kështu as historia e viteve të fundit, ku Tirana nuk është ngritur asnjëherë në nivel pretendimesh për titull. Përkundrazi ka luftuar për mbijetesë dhe në një sezon ka luajtur në Kategorinë e Parë.

Tani ka 47 pikë pas 24 javësh, 4 më shumë se vendi i dytë që mbahet nga Kukësi dhe po shkon drejt titullit të 25-të në histori, një titull special që përkon me 100-vjetorin e krijimit të klubit. Tirana ka marrë 28 nga 30 të mundshme me Egbo në stol, në 10 javë kampionat, më shumë se gjysmën e totalit të pikëve. Gazeta Si bën një analizë të asaj çfarë ka ndodhur te bardheblutë nga derbi i fazës së dytë, ku debutoi Egbo, te derbi i fundit, ku bardheblutë i dhanë goditjen e nokautit Partizanit, rivalit historik. Janë disa arsye të dukshme dhe të padukshme që e ndryshuan Tiranën, ku 4 janë thelbësore dhe në 2 prej tyre dallohet dora e trajnerit Egbo.

Egbo feston fitoren në derbin me Partizanin, ku debutoi në stolin bardheblu. Gazeta Si, 3 mars 2020

Egbo, një kurues psikologjik
Emanuel Egbo është një njohës shumë i mirë i ambientit bardheblu. Një “tironc i vjetër”, siç ka thënë vetë me humor, ua di mirë “huqet” lojtarëve dhe drejtuesve të Tiranës. Sigurisht, ai nuk ka shkopin magjik për ta bërë Tiranën të fluturojë, por e di mirë se gjendja psikologjike është tejet e rëndësishme në futboll. I ka bërë gjërat thjesht. Me uljen në stolin bardheblu, Egbo ka manifestuar gjithë kohën qetësi dhe pozitivitet në radhët e lojtarëve. E kanë pohuar vetë këta të fundit herë pas herë, sa herë që Tirana shtonte një fitore në serinë e nisur në derbi, kur të gjithë kanë qenë kuriozë të dinin se çfarë “ilaçi” ka përdorur trajneri nigerian, i cili gjithmonë është shprehur “Meritë e Zotit”.

Egbo ka ditur shumë mirë ta motivojë grupin e futbollistëve dhe të ruajë ekuilibrat psikologjikë. Kjo është një meritë e tij, duke ditur që ka karaktere të ndryshme në ekip, me shqiptarë, nigerianë, brazilianë, argjentinas e anglezë. Asnjëherë nuk merret me emra të përveçëm në deklaratat pas ndeshjeve sa u takon gabimeve, duke ruajtur frymën e grupit. Shmang euforinë pas fitoreve radhazi dhe ruan gjithë kohën seriozitetin në stërvitje dhe ndeshje zyrtare. Trajneri ka ruajtur qetësinë edhe kur presidenti Refik Halili pas të vetmit barazim në 10 ndeshje (me Skënderbeun 1-1) e kritikoi publikisht se gaboi me ndërrimet.

Çelhaka në një dyluftim me Uilliam Melon në derbi. Gazeta Si, 3 mars 2020

Tri lëvizjet teknike të nigerianit
Morali dhe motivimi nuk mjaftojnë për t’i fituar ndeshjet. Tirana e fushës, me marrjen e komandës teknike nga Egbo ka pasur tri ndryshime, që kanë dhënë efekt. Grupi dhe rreshtimi taktik është po ai i paraardhësit Mema, ndryshimet janë në emra. Tefik Osmani, Edon Hasani dhe Grent Halili, tre titullarë të Tiranës së Memës, janë ulur në stol. Hapësirë kanë marrë Gentian Muça, Jurgen Çelhaka dhe Ernest Muçi. Me këta të fundit skuadra ka më shumë ekuilibër taktik në fushë. Muça i jep siguri prapavijës me përvojën e tij, vlerat e tij dihen. Çelhaka është një motor në mesfushë, shumë aktiv në të dyja fazat e lojës, mbrojtje dhe sulm, ndërsa Muçi, sulmuesi i ri, godet sa herë që thirret në apel. Trajneri Egbo, ndryshe nga trajnerët e tjerë të bardhebluve, ka pasur guximin t’i besojë një 19 vjeçari dhe një 18-vjeçari në formacion.

Ndoshta forca e Egbo qëndron në faktin se ai nuk ka asnjë ndikim emocional në zgjedhjet teknike. Ai është mjaft i ftohtë në gjykimin për ata që duhet të jenë në fushë nga minuta e parë, sepse i intereson vetëm loja dhe rezultati. Nuk ka kompleksin e “djalit të presidentit”, të cilin e uli në stol dhe koha i ka dhënë të drejtë për vendimet që ka marrë në këto 10 javë që drejton Tiranën.

Torasa dhe Kobinah në derbin e fundit. Gazeta Si, 3 mars 2020

Rritja e Torasa-Kale-Kobinah
Një faktor që ka ndikuar në rezultatet e Tiranës është loja sulmuese e saj. Reparti i avancuar prodhon raste dhe shënon rregullisht. Katërshja e sulmit, e përbërë nga Kobinah në të djathtë, Kale në të majtë, Torasa në qendër dhe Ngo në majë, janë një rrezik konstant për portat kundërshtare. Që të tre kanë arritur formën optimale dhe po e ndihmojnë skuadrën për të fituar me gola dhe penallti të fituara. Ngo ka shënuar 7 gola, Kobinah 4, Torasa 4 dhe Kale 3, ndërsa mesfushorët Batha dhe Hasani kanë shënuar përkatësisht nga 8 dhe 6 gola, duke përfshirë edhe penalltitë e fituara nga 4-shja e sulmit. Forma e mirë që ka aktualisht sulmi bardheblu, është shpresëdhënëse për titullin.

Rënia e dy rivalëve kryesorë
Në shkëputjen e Tiranës me 4 pikë në vend të parë ka ndikuar edhe rënia që kanë pasur gjatë periudhës së fundit Partizani dhe Kukësi, dy rivalët kryesorë për titullin kampion. Partizani ka kaluar një krizë të thellë, duke humbur shumë pikë me disa ndeshje radhazi, edhe pse në stol mori të preferuarin e presidentit Demi, italianin Sormani. Veçanërisht dy humbjet në derbi e kanë larguar Partizanin nga titulli dhe trajenri italian për herë të parë shpërtheu ndaj gjykimit, ashtu si dhe drejtori i përgjithshëm Olsi Rama. “Arbitrat vendosën rezultatin”, – thanë ata pas derbit të fundit. Tirana jo vetëm e ka parakaluar Partizanin, por e ka lënë shumë prapa me pikë.

Një dyluftim mes Vangjelit dhe Solomon në derbi. Gazeta Si, 3 mars 2020

Ndryshon puna me Kukësin, që ndoshta ka qenë pa fat, duke lënë pikë të çmuara në fund të ndeshjeve (me Bylisin dhe Teutën u barazua në kohën shtesë, ndërsa me Tiranën u përmbys në fund). Një rënie e papranueshme për presidentin Safet Gjici, i cili shkarkoi trajnerin Shpëtim Duro dhe emëroi Orges Shehin. Bardheblutë e kanë shfrytëzuar në mënyrën më të mirë krizën e rivalëve.

Përtej aludimeve se Tirana po favorizohet për të fituar titullin në 100-vjetorin e krijimit (më shumë alibi të rivalëve), atë që duket në fushë nuk mund ta mohojë askush. Dhe Tirana e fushës me trajnerin Egbo ka të paktën Zotin me vete, siç thotë vetë trajneri. Siç duket, Zoti e pëlqen lojën e Tiranës…

Tirana para derbit të fundit. Gazeta Si, 3 mars 2020

Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë