Kosova po “vlon” nga misteri pas takimit të presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç në Shtëpinë e Bardhë.
Ndërkohë që Thaçi ka kërkuar që të njoftojë Kuvendin e Kosovës në orën 16:00 për bisedimet me Vuçiçin, kryeministri Albin Kurti duket se po bën të pamundurën për tu informuar paraprakisht për këto bisedime.
Kryeparlamentarja Vjosa Osmani nuk i është përgjigjur kërkesës së Thaçit për t’iu adresuar parlamentit, duke e shtyrë seancën pas 9 marsit. Si kundërgjigje, presidenti tha se do të dalë në konferenë për shtyp në orën 16:00
Mediat në prishtinë shkruajnë se Thaçi pritej të prezantojë sot n një draft paraprak të marrëveshjes finale Kosovë-Serbi, për të cilën Kurti kërkon të vihet në dijeni i pari.
Ai i ka dërguar letër presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, duke i kërkuar një takim urgjent për të bashkërenduar qendrimet në politikën e jashtme. Kreu i qeverisë ka vënë në dispozicion presidentit Thaci jo një, por tri orare për t’u takuar, orën 09:00, orën 13:00 si dhe orën 18:00. “Përfaqësimi i Kosovës do të jetë sa më i denjë në arenën ndërkombëtare dhe këtë mund ta arrijmë duke harmonizuar qëndrimet tona të cilat përveç suksesit diplomatik do të garantonin edhe zhvillimin ekonomik dhe siguri shtetërore e kombëtare”, thuhet në letrën e Kurtit.
Por presidenti Thaci ka injoruar letrën e Kurtit duke çuar një kërkesë të dytë për të folur përpara Kuvendit të Kosovës, cila i është refuzuar.
Thaçi nuk i është përgjigjur deri më tani asnjë prej kërkesave të kryeministrit për të dalë me një qëndrim të përbashkët në politikën e jashtme.
Ka kaluar një muaj i plotë nga formimi i Qeverisë së Kosovës, por Hashim Thaçi dhe Albin Kurti janë më larg se kurrë harmonizimit të qëndrimit rreth dialogut Kosovë-Serbi dhe aq më pak taksës ndaj importeve serbe.
Por ndërkohë që Kurti shikonte nga larg takimin e Thaçit dhe Vuçiçit në Shtëpinë e Bardhë, presidenti mund të ketë miratuar kornizat kryesore të marrëveshjes përfundimtare mes dy vendeve, thonë mediat. Të pranishëm në këtë takimin ishin dy njerëzit më të besuar të presidentit Donald Trump, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, Robert O’Brien dhe i Dërguari Special për dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas gazetarit britanik Tim Judah, njohës i mirë i zhvillimeve politike në Kosovë, Grenell dhe Trump po nxitojnë një marrëveshje përpara se presidentit Thaçi t’i mbarojë mandati. Analisti shkruante në një postim në Twitter se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë është duke ecur me hapa të shpejtë, duke shkaktuar jo pak shqetësim në Prishtinë.
Duke komentuar zhvillimeve të fundit rreth dialogut Kosovë – Serbi, analisti Imer Mushkolaj nuk ka përjashtuar sot mundësinë që presidenti Thaçi të prezantojë para Kuvendit kornizën për marrëveshjen finale.
“Do të ishte jashtëzakonisht problematike nëse është arritur një kornizë-marrëveshje, e cila mund të sillet në Kuvend. Ajo mund refuzohet nga pala kosovare, edhe pse nuk ka ndonjëherë që në Prishtinë të refuzohen propozimet që kanë ardhur nga SHBA-ja”, ka deklaruar ai për gazetën “Zëri”.
Edhe analisti Armend Muja është i bindur se propozimi për marrëveshjen përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është në përgatitje e sipër.
“Ky pakt është duke u përpunuar. Plani në tërësi mund të paraqitet në formën një propozimi të shkruar nga administrata Trump”, është shprehur Muja.
Shqetësimi kryesor i mediave në Kosovë, është se kjo marrëveshje mund të përfshijë idenë e korrigjimit të kufirit Kosovë – Serbi, por analistët janë të bindur se SHBA-ja nuk do të “luajë sërish me të njëjtën letër.
Analisti Mushkolaj thotë për gazetën “Zëri” se nuk pret që mes Kosovës e Serbisë të diskutohet më këmbimi i territoreve. Sipas tij, mund të diskutohen lëshime të tjera për serbët në Kosovë, siç mund të jetë krijimi i Asociacionit dhe krijimi i ndonjë komune të re. “Nëse je futur në dialog dhe në njëfarë forme e ke hapur statusin e ardhshëm të Kosovës, atëherë është e pritshme që të bësh kompromis, kompromisi nënkupton të drejta të plota për serbët në Kosovë, që nënkupton mbase një lloj autonomie, e cila mund të mos quhet hapur e tillë, por mund të ketë kompetencat e autonomisë”, ka theksuar ai.
Kurti ka deklaruar vazhdimisht se “frerët” e bisedimet me Serbinë do t’i marrë ai, por duke u nisur nga zhvillimet e fundit, Mushkolaj thotë se kryeministri nuk do të mundë ta ndalojë Thaçin që t’i prijë dialogut.
“Kurti natyrisht ka përgjegjësitë e veta si kryeministër dhe kjo është konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese. Por në Uashington po ftohet presidenti i vendit dhe nëse ftohet presidenti i vendit, Albin Kurti nuk do të mundë ta ndalë, siç nuk ka mundur ta ndalë as Ramush Haradinaj”, është shprehur ai.
Sipas tij, të gjitha takimet e dialogut Kosovë – Serbi po zhvillohen në errësirë dhe takimi i fundit i Thaçit dhe Vuçiçit në Shtëpinë e Bardhë ishte shembulli i mirë i misterit që rrethon bisedimet.
Një i ftuar “surprizë”

Në takimin në Shtëpisë së Bardhë, përveç Grenell, Thacit, O’Brien dhe Vuçiçit, mori pjesë edhe dhëndri i presidentit Trump, Jared Kushner. Lajmi u bë i ditur ngë presidenti serb, i cili publikoi një foto gjatë takimit me Kushnerin.
“Përfundimi i një vizite dy-ditore në Uashington, me bisedime të shkëlqyera në Shtëpinë e Bardhë me Këshilltarin e Sigurisë Kombëtare Robert O’Brien, dhëndrin e tij Presidentit, Jared Kushner, dhe të Dërguarin Special për dialogun Richard Grenell”, shkruan Vuçiç, në llogarinë e tij zyrtare në Twitter.
Sipas gazetës serbe Blic, prania e tij nuk u bë publike, por Kushner u ftua në takimin Thaçi-Vuçiç nga Richard Grenell. Burimi i “Blic” tha se biseda zgjati më shumë se një orë dhe ishte “shumë e suksesshme”.
“Ata kanë treguar mirëkuptim në zgjidhjen e problemit të Kosovës, ata e dinë që është një çështje shumë e vështirë për Serbinë, por gjithashtu që të gjithë duhet të fitojnë, ose të humbasin diçka, që të dyja palët duhet të jenë të kënaqura”, tha burimi.
Grenell gjithashtu publikuar një postin në Twitter duke thënë se marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë kanë një rëndësi të madhe për administrimin e presidentit amerikan Donald Trump.
Burimet: “Gazeta Zeri”. “Blic”, “B92”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje