Paralajmërimi i presidentit Ilir Meta për realizimin e reformës zgjedhore brenda 15 marsit, i shoqëruar edhe me kërcënim tjetër të shpërndarjes së Parlamentit ka vënë në lëvizje ndërkombëtarët, të cilët kanë zhvilluar një takim me Këshillin Politik për të biseduar mbi ecurinë e deritanishme të konsultimeve mes palëve.
Katër përfaqësuesit e partive politike në atë që është quajtur tryeza e reformës zgjedhore kanë raportuar para ambasadorëve të OSBE, SHBA, BE, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe disa të tjerë, për ecurinë e diskutimeve deri tani.
Sipas burimeve përfaqësuesi i PD, Oerd Bylykbashi, mësohet t’u ketë thënë ambasadorëve se kryeministri Edi Rama nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. “Zgjedhjet kanë arritur nivelet më të ulëta në raport me standardet e OSBE. Nëse në vitin 2009 zgjedhjet arritën shumicën dërrmuese të standardeve të OSBE, nga 2015-2019 raportet e ODIHR kanë si shqetësim prioritar shkeljen e standardeve bazë: lirisë dhe sekretit të votës, shitblerjen e votës, lirinë nga frika e ndëshkimit, ndarjen e shtetit nga partitë dhe fushën e barabartë të lojës”, citohet të ketë thënë Bylykbashi.

Opozita mësohet se ka kërkuar qeverinë tranzitore, si dhe që gjyqtarët që do të shqyrtojë çështjet zgjedhore të mos jenë pjesë e procesit t vettingut. “Legjitimiteti i Parlamentit dhe pushtetit vendor, dy mbajtësve të përfaqësimit demokratik me votë, nuk është thjesht i minuar, ai thjesht nuk ekziston. Parimet që kane dështuar në zgjedhje janë parime kushtetuese. Dhunimi i tyre masiv, në çdo vend normal do të çonte në anulim të zgjedhjeve nga Gjykata Kushtetuese dhe sistemi gjyqësor. Por në Shqipëri asnjë gjykatë nuk ekziston apo nuk është e lirë nga presioni. Këtë e thotë ODIHR-i. Rënia e kësaj garancia nuk është vetëm rënie e shtetit të së drejtës, por e demokracisë përmes zgjedhjeve”, mësohet të ketë deklaruar Bylykbashi. Përfaqësuesin e opozitës, Edi Rama ka treguar se nuk mund të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Ndërsa socialisti Damian Gjiknuri është shprehur optimist sa i përket afatit të 15 marsit dhe arritjes së marrëveshjeve mes palëve. Duke informuar mbi procesin mësohet se ai shtuar se shpreson që “brenda datës 15 mars palët të jenë të dakordësuar për të gjitha çështjet. Po qe e mundur për ta miratuar deri në atë datë, shumë mirë, por kjo duket si e pamundur për aq kohë sa duhet bere formulimi dhe duhet kaluar procedura në Parlament”. Pas takimit me diplomatët e huaj, Gjiknuri rishprehu qëndirmin se nuk i takon këtij këshilli të vendosë.
“Qeveria kujdestare nuk është çështje e kësaj tryeze. Qeveria kujdestare është çështje kushtetuese dhe marrëveshje politike. Nëse ka marrëveshje politike po, por unë nuk di që qeveria të ketë një vullnet që të shkojë në qeveri teknike, pra janë gjëra të stërkonsumuara. Unë besoj se nëse ka vullnet dhe PD të vijë me këmbë në tokë për disa gjëra, unë besoj se konsensusi është shumë i arritshëm”, tha Gjiknuri, duke shtuar se pakti mund të arrihet edhe dy apo tre ditë pas 15 marsit.

Por Bylykbashi pas takimi theksoi se opozita mbajti qëndrimin e tyre dhe se PS-ja nuk mund të vendosë çfarë të dojë. “Ishte një ftesë e bërë nga përfaqësuesit e vendeve të BE, ku ne patëm mundësinë që të shpalosnim jo vetëm aspektet tona teknike, por mbi të gjitha qeendrimin tonë. Mbi të gjitha thekson angazhimin e palëkundur të opozitës, bërja e Reformës është një ndër kushtet themelore të Bundestagut. Shqiptarëve u duhet një reformë zgjedhore që i garanton ata nga vullneti i një kryeministri grabitqar që grabit zgjedhjet”, tha ai.
Më tej Bylykbashi iu përgjigj edhe Damian Gjiknurit, i cili më herët është shprehur se PD duhet të jetë me këmbë në tokë për disa çështje. “Nëse PS vjen me idenë se mund të vendosë ajo çfarë janë propozime të arsyeshme me këmbë në tokë dhe çfarë nuk janë, ka hyrë gabim më 14 janar. Ne nuk pranojmë asnjë reformë zgjedhore që të kalojë sa për të mbyllur një faqe. Konsensusi arrihet për të garantuar standarde. Siç tha sot ambasadorja amerikane se rekomandimet e OSBE janë thjeshtë dyshemeja. Dhe pikërisht ato rekomandime kanë ardhur se PS ka masakruar zgjedhjet”, u shpreh ai.
I pyetur më tej nëse mori PD mbështetje nga diplomatët për të frenuar procesin e vettingut për anëtarët e Kolegjit Zgjedhor: “Nuk ka asnjë diskutim kaq të detajuar në tryezë. Ne bëmë të qartë se Shqipërisë i duhet që në ditën e zgjedhjeve të ketë gjykatë të pavarur dhe funksionale. E gjithë opozita e bashkuar nuk do të pranojë një gjykatë zgjedhore që është e gjitha nën duart e kryeministrit Rama”.
Reagimi i OSBE-së, Borchardt: Ishte i frytshëm, nxisim palët për kompromis
Prezenca e OSBE-së në Shqipër bëri të ditur se takimi me përfaqësuesit e këshillit u organizua me nismën e saj dhe tema kryesore ishte ecuria e reformës zgjedhore, ku të pranishëm ishin përfaqësues të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare në Shqipëri.
Takimi ishte pjesë e tryezave të ngjashme të Grupit Ndërkombëtar të Punës për Zgjedhjet, i cili është një forum i ngritur nga OSBE-ja, me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të Shteteve pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatave ndërkombëtare, që mblidhet periodikisht përpara zgjedhjeve për të shkëmbyer informacion dhe për të bashkërenduar qëndrimet.

Pas takimit, amabasadori i OSBE-së, Bernd Borchardt e cilësoi si shumë konstruktive sipas pikëpamjes së tij. “Ne ftuam Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së dhe organizatat mike si Bashkimin Evropian, Këshillin e Evropës dhe Kombet e Bashkuara për t’u informuar më së miri për mendimet e partive të ndryshme të përfshira në reformën zgjedhore. Nga ana tjetër, donim t’i nxitnim negociuesit që të bëjnë kompromise. Prekëm disa çështje, me detaje, që nga depolitizimi i administratës zgjedhore te ndryshimi i sistemit zgjedhor – i cili nuk është ndër rekomandimet tona – te roli i medias në fushatën zgjedhore. Pra, në tërësi, u zhvillua një diskutim i gjerë dhe u fol për disa çështje, për të cilat ne do të vijojmë të flasim dhe të bëjmë rekomandime”, theksoi ambasadori.
Sa i përket pezullimit të procesit të vettingut për gjyqtarët që do të merret me çështjet zgjedhore, ambasadori deklaroi se kjo çështje është ende duke u diskutuar dhe ne dërguam një mesazh të qartë se ata duhet të respektojnë dispozitën e Kushtetutës dhe se gjithçka që është në përputhje me Kushtetutën, sigurisht që mund të rregullohet në një kod.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje