Kampionati ka edhe shumë javë, por me fitoren e sotme në Vlorë, e ndihmuar edhe nga hapat falsë të rivalëve, Tirana duket se ka vënë një dorë te titullin kampion. Është 6 pikë tashmë diferenca me vendin e dytë, një diferencë e konsiderueshme për t’i lejuar vetes edhe ndonjë hap fals në javët në vazhdim.
Një autogol i Vrapit dhe një gol i Kobinah i kanë dhënë fitoren 0-2 Tiranës ndaj Flamurtarit, duke e ngjitur në kuotën e 50 pikëve. Duhet theksuar se Flamurtari ka bërë një ndeshje të mirë dhe mund të kalonte i pari në avantazh, por Ribaj gaboi përballë Likës, duke ia dhënë topin në duar. Një fitore që u ka shijuar më shumë kryeqytetasve, kur kanë mësuar në fund të ndeshjes se Kukësi ka barazuar 0-0 me Vllazninë, ndërsa Partizani ka humbur 1-2 me Teutën.

Për Kukësin mund të konsiderohet një gjysmë hapi fals barazimi pa gola në “Elbasan Arena”. Ndryshimi i trajnerit nuk e ka ndihmuar Kukësin të kthehet te fitorja. Trajneri Orges Shehi ka debutuar me një pikë në stolin kuksian, ndërkohë që shpresat për titullin po zbehen gjithmonë e më shumë. Partizani vazhdon të përjetojë një moment të errët, duke pësuar një tjetër humbje, këtë herë nga Teuta. Një gol i Sherif Kallakut i ka dhënë 3 pikë të çmuara ekipit durrsak në garën për zonën europiane. Të kuqtë kanë zbritur në vend të 5-të, duke vënë gjithë sezonin në rrezik, ndërsa për titullin nuk bëhet më fjalë. Humbja në derbi u “mbulua” me gjykimin, kurse këtë herë Partizanin nuk ka asgjë që ta justifikojë.
Skënderbeu mundi 2-0 Luftëtarin në Korçë, duke iu afruar zonës europiane. Golat e Mensah dhe Jashanicës i dhanë fitoren e tretë radhazi skuadrës së trajnerit Ilir Daja. Java e 26-të e Superiores luhet në fundjavë. Tirana pret Laçin, ndërsa Partizani shkon në Shkodër.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje