Kryeministri Edi Rama sulmon ashpër presidentit Ilir Meta, duke e përfshirë në atë që ai e cilëson si një aleancë kundër paketës Anti KÇK. Sulmet direkt ndaj presidentit Meta, Rama i ngriti gjatë diskutimit të tij në Parlament për aktin normativ për paketën e cilësuar si anti KÇK, duke theksuar se reagimi vjen në një kohë kur po krijohet vija e kuqe ndarëse me krimin.
Rama bëri të ditur për një aleancë që nis nga media dhe që përfundon te presidenti kundër luftës së shpallur ndaj krimit të organizuar, por që sipas tij i gjithë ky front do të dështojë.
“Si ka mundësi që kur shfaqet më e qartë dhe më e thellë se asnjëherë në tre dekada vija e kuqe mes shtetit dhe krimit të organizuar ngrihet një koalicion kaq i larmishëm. Teksa vija e kuqe mes shtetit dhe krimit është më e fortë se kurrë më parë, ngrihet një koalicion kaq i larmishëm mes segmentesh dhe protagonistësh që vijnë nga të gjitha rrugët e jetës publike, nga mediat tek i ashtuquajturi President, nga opozitat këtu pak çaste para meje tek ato në rrugë, deri te Avokati i Popullit, për t’i qarë hallin këtyre të shkretëve, që kanë vrarë, përdhunuar, trafikuar, grabitur pronat, sa kanë mundur, që kanë shantazhuar, sa nuk merret as me mend njerëzit dhe sipërmarrësit e këtij vendi dhe që tani medemek po dhunohen”, tha mes të tjerash kryeministri.
Rama tejet i ashpër në sulmet ndaj presidentit dhe opozitës theksoi se “unë nuk jam aspak i befasuar nga gjithë përkrahja e befasishme që ka gjetur elita e krimit të organizuar sapo ne e kemi shpallur betejën më të skajshme kundër kësaj mortje. Faji i të gjithë horrave me kostum që kanë pasur një mikrofon në dorë e kanë bërë edhe më shumë horr në sytë e njerëzve që shqiptarë nuk janë. Apo që shkruajnë dhe hedhin helm për vendin tonë”.
Teksa iu drejtua me shprehja se “për kë i qan zemra” këtij fronti, kryeministri u ndal edhe te sulmi i presidentit Ilir Meta ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke shtuar se Akti normativ është fytyra e qeverisë. “Turp a nuk ju vjen fare që keni një mikrofon në dorë dhe jeni bërë karvan qorrash për të bërë pelegrinazhin në drejtim të qelive ku janë kyçur një pjesë e këtyre dhe në drejtim të atyre që nuk janë çuar akoma duke çuar mesazhin që ne jemi me ju, e ju çfarë prisni. Ngrihuni, bashkohuni dhe bëni atë që duhet bërë, mundësisht na i hiqni qafe. Si ka mundësi që kur ne shpallën këtë ofensivë këto viktima ishin djalli vetë në prehrin tonë dhe tani u kthyen në disa rob zoti që duhen marrë në mbrojtje, sepse janë viktimë e qeverisë dhe shtetit policor. Si mundet të sulmohet nga maja e piramidës ministrja e Drejtësisë e cila ka hapur një llogari që të tjerë nuk kanë guxuar ta hapnin. E dini ju ca është 42 biss, është regjimi i izolimit të kriminelëve mafiozë në vendin fqinj që solli telash për ata që e ngritën dhe ndërkohë mbrohen demonët, ata që janë të dënuar nga gjykata dhe jo të dyshuar nga policia. Ju nuk dini çfarë flisni. E kam me të gjithë ata që flasin për këtë punë”, deklaroi Rama.
Shefi i qeverisë sulmoi edhe grupimet e shoqërisë civile që kanë dalë kundër paketës Anti KÇK, por nuk la përmendur as kreun e PD-së, Lulzim Bashën. “Shumë kanë të gjitha arsyet që ta shohin këtë moment si një moment “o sot o kurrë”. Ilir Meta ka të gjitha arsyet që sot të jetojë si një moment “o sot o kurrë”, sepse sot vija ndarëse mes të shkuarës dhe të ardhmes po bëhet gjithmonë e më e pa fshishme me gomën e pazareve politike kur vjen puna tek drejtësia. Sot gjykatësit janë çdo ditë e më shumë në hallin e tyre, sepse sot është marrë një vendim ekstrem nga kjo shumicë për t’i dhënë dorën përfundimtare krimit të organizuar. Krim të organizuar ka në gjithë botën, në çdo vend të BE, në SHBA, por krimi i organizuar qëndron në perimetrin e vet, nuk hapet sedilesh gjithandej. Doni s’doni ju, të gjithë bashkë sa jeni, të gjithë ata që kanë dalë kundër, krimin e organizuar ne do ta fusim brenda perimetrit të vet”, theksoi Rama.
Ndërsa nuk ngurroi që të akuzonte Metën se po lobon kundër çeljes së negociatave, dërgojnë letra për mos hapjen e tyre tha Rama, dhe se nuk ngurrojnë që të shpallin revolucione imagjinare, duke puthur flamuj të palejuar, duke nënkuptuar atë SHBA-ve. Ndërsa opozitën parlamentare e akuzoi se po bëhet palë me këtë front palidhje, duke theksuar se njerëzit që po bëjnë zhurmë i ngjajnë UFO-ve, objekteve të paidentifikuar fluturës që vetëm bëjnë zhurmë dhe sulmojnë në drejtime të ndryshme të ç’orientuar.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje