Politike

Pas sulmeve ndaj Gjonajt, ambasadorja Kim 90 minuta takim me Kryemadhin

Ambasadorja amerikane Yuri Kim ka ndërmarrë prej ditësh disa takime që synojnë të çtensionojnë situatën politike në vend. Një ditë pasi ambasadorja amerikane u takua me Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, të premten Kim ngjiti shkallët e selisë së LSI-së, për t’u takuar me kryetaren e kësaj partie, Monika Kryemadhi. Takimi ka zgjatur për një orë e gjysmë dhe se mendohet që çështja kryesore ka qenë situata politike dhe reforma zgjedhore.
Lëvizja Socialiste për Integrim prej ditësh ka shtuar dozën e sulmeve ndaj ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj, duke mbështetur akuzat e Presidentit për falsifikim të procedurës për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Por zyra e shtypit e LSI-së në lidhje me takimin e sotëm bën të ditur se biseda mes Kryemadhit dhe ambasadores Yuri Kim u përqendrua te reforma zgjedhore, duke mos përmendur çështjen e emërimeve në Gjykatën Kushtetuese, apo reformën në drejtësi.

“Takimi zgjati rreth 1 orë e gjysmë, në fokus të saj ishte reforma zgjedhore, ku të dyja palët kanë ndarë angazhimin e përbashkët për realizimin e saj brenda datës 15 mars 2020, si datë e përcaktuar në marrëveshjen e dakordësuar mes opozitës së bashkuar dhe mazhorancës për reformën zgjedhore. Kryemadhi konfirmoi vullnetin e palëkundur të LSI dhe opozitës së bashkuar për ta përmbyllure këtë reformë dhe njëherazi për t’i hapur rrugë zbatimit te saj, ashtu sikurse përcaktohet edhe nga Bundestagu Gjerman”, thuhet njoftimin e LSI-së.
Ndërkaq pas këtij takimi, LSI-ja duket se i ka përqendruar sulmet ndaj kryeministrit Edi Rama, duke i kujtuar ambasadës amerikane qëndrimet e liderit të mazhorancës së majtë kundër presidentit amerikan Donald Trump.
Pikërisht nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një postim në rrjetet sociale publikonte videon e qëndrimeve të Ramës ku shpreh se nuk dëshironte që Trump të zgjidhej si president, duke i drejtuar tre pyetje.

https://www.facebook.com/petritvasil/videos/237787297356005/


“A është Edi Rama një qytetar si gjithë të tjerët për SHBA. A ka ndonjë status të privilegjuar Edi Rama në SHBA, që shqiptarët nuk e dinë? Po një qytetari të thjeshtë shqiptar a do t’i lejoheshin këto skandale, që lidhen me SHBA, pa i hyre një gjemb në këmbë ashtu si Edi Ramës? Jam i interesuar unë, por edhe të gjithë shqiptarët që të dëgjojmë shpjegimet e detyruara të Ambasadës, të cilat mungojnë të jepen prej vitesh”, ishte postimi i Vasilit i publikuar në orën 11:00 në rrjetet sociale. Ndërsa takimi mes Kryemadhit dhe ambasadores Yuri Kim dhe Kryemadhi nisi në orë 11:30 e zgjati deri në ora 13:00.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë