Greqia ka njoftuar sot se ka zmbrapsur 35,000 refugjatë që janë përpjekur të kalojnë në mënyrë të paligjshme në territorin e saj, që kur Turqia ka hapur kufijtë, javën e kaluar. Sipas zyrtarëve të Qeverisë greke, mijëra migrantë të tjerë kanë arritur të kalojnë kufirin dhe janë nisur drejt vendeve fqinje në përpjekje për të hyrë në BE.
Por situata në kufirin greko-turk ka të ngjarë të eskalojë edhe më shumë pasi, Ankaraja vendosi të dërgojë forcat speciale në kufi, për të shtyrë emigrantët drejt Greqisë.
Ministri i Brendshëm i Turqisë, Suleyman Soylu, ka vizituar të enjten provincën Edirne, në kufi me Greqinë, dhe ka njoftuar për vendosjen e 1,000 forcave speciale në zonë, për të ndaluar kthimin e emigrantëve drejt territorit turk.

Soylu ka akuzuar forcat greke për plagosjen e 164 migrantëve dhe kthimin e rreth 5,000 vetëve në Turqi. Athina i ka hedhur poshtë këto akuza dhe ka thënë se forcat turke po ndihmojnë emigrantët të kalojnë kufirin duke i nxitur vazhdimisht drejt Greqinë.
Përballë trupave turke ndodhen forcat e ushtrisë greke, duke rrezikuar kështu edhe në një përplasje mes tyre. Refugjatët ndëkohë janë bllokuar mes dy ushtrive, duke u shtyrë vazhdimisht herë drejt kufijve greke dhe herë drejt kufijve turkë.
“Turqia po vendos forca speciale policore përgjatë kufirit të saj me Greqinë për të ndaluar shtyrjen e emigrantëve drejt territorit të saj”, tha Soylu.
Komente të Soylu vijnë mes një “lufte fjalësh” midis Ankarasë dhe Athinës pas vendimit të Turqisë për të mos respektuar më një marrëveshje të vitit 2016 me Bashkimin Europian për të ndaluar flukset e paligjshme të emigracionit në Europë në këmbim të miliarda eurove ndihmë.
Që nga ajo kohë, mijëra emigrantë janë grumbulluar në kufirin turk me Greqinë me shpresën për të kaluar në Europë.

Duke folur para gazetarëve në provincën kufitare veriperëndimore të Edirne, Soylu tha se policia greke kishte plagosur emigrantët që po përpiqeshin të kalonin kufirin.
“Ata u përpoqën të shtyjnë 4,900 njerëz mbrapsh në Turqi, “tha ai. “Ne po vendosim policë të forcave speciale për të parandaluar zmbrapsjen.”
Turqia, e bllokuar në një konflikt ushtarak me Moskën dhe Damaskun në veriperëndim të Sirisë, strehon momentalisht 3.6 milion refugjatë sirianë. Ajo dëshiron që BE të mbështesë me forcë përpjekjet e saj në Siri dhe të sigurojë më shumë fonde për t’u kujdesur për refugjatët.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje