Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka shprehur përmes një letre ambasadores amerikane në Tiranë, Yuri Kim shqetësimin, sipas tij të ndërhyrjes politike në procesin gjyqësor “Babale”.
“Jemi shumë të shqetësuar për ndërhyrjen politike në çështjen “Xhafaj”, nis letra që Basha ia ka dërguar kryediplomates amerikane më 11 shkurt.
“Partia Demokratike ka denoncuar publikisht përmes përfaqësuesve të saj, zoti Ervin Salianji përfshirjen si organizator i trafikut të lëndëve narkotike të vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, i cili e mbrojti atë të lirë në Shqipëri, pavarësisht se drejtësia italiane e kishte dënuar me vendim të formës së prerë më 7 vite e 4 muaj burg. Pavarësisht kësaj ai jetoi i lirë në Shqipëri falë mbrojtjes politike të Qeverisë”, vijon letra.
Basha vë në dijeni ambasadoren amerikane se pas denoncimit të Ervin Salianjit dhe investigimit të gazetarit Jetmir Olldashi, vëllai i ish-ministrit Xhafaj iu dorëzua autoriteteve italiane për të vuajtur dënimin e tij dhe muaj më vonë vetë Fatmir Xhafaj u dorëhoq nga detyra.
“Por, pavarësisht këtyre zhvillimeve, nën presionin politik të Qeverisë drejtësia dështoi që të nisë dhe përfundojë një hetim të plotë mbi këto akuza dhe provat e faktet për ta mbyllur këtë çështje, që përfshijnë drejtuesit më të lartë të policisë dhe politikanë të lartë të Partisë Socialiste”, deklaron Basha.

Në vend të kësaj, shkruan Basha, gjyqi u karakterizua nga shkelje flagrante të ligjit të drejtuar nga një gjyqtar të lidhur, sipas tij, haptazi me partinë në pushtet, që dënoi përfaqësuesin e Partisë Demokratike, Ervin Salianji dhe gazetarin Olldashi me akuzën absurde për denoncim të rremë.
Letra shoqërohet bashkë me dosjen e plotë dhe mbyllet me shënimin që Basha i lë ambasadores amerikane duke deklaruar se një rishikim i këtyre materialeve do t’i krijojë një pasqyrë më të plotë të abuzimit flagrant me pushtetin dhe presionin politik ndaj drejtësisë, që sipas Bashës, dënoi denoncuesit dhe mbrojti kriminelët.
Letra i është dorëzuar ambasadores amerikane Yuri Kim pak ditë pasi kjo e fundit kishte marrë detyrën e kryediplomates në Shqipëri.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje