Te Borusia Dortmund funksionon gjithçka në mënyrë perfekte, shet një lojtar, ndërkohë që e ka në shtëpi zëvendësuesin e tij. Shembulli më konkret është ai i një viti më parë, kur shiti Pulisiçin te Çelsi, pasi kishte gati Sançon, një alternativë më të re dhe ndoshta më të fortë. Talenti i ri që Borusia Dortmund ka në duar është 17-vjeçari Xhovani Reina, mesfushor-sulmues që së fundi ka marrë një vendim shumë të rëndësishëm: do të luajë për kombëtaren e Amerikës.
Xhovani është djali i Klaudio Reinës (ka luajtur me Leverkusenin, Volfsburgun dhe Mançester Sitin), dhe është blerë nga Borusia Dortmund në gusht të 2018-ës, kur ishte vetëm 15 vjeç. Sapo hyri në akademinë verdhezi ai tregoi se ka kualitet jashtë të zakonshmes. Më 18 janar debutoi në Bundesligë kundër Augsburgut. Atë ditë loja e tij nuk ra shumë në sy, sepse ishte ndeshja e parë e Haland, autor i një triplete, por trajneri Favre i dalloi mirë cilësitë e Reinës. Që atëherë 17-vjeçari ka luajtur në çdo ndeshje, por ende nuk e ka nisur si titullar. Në Kupë, ndaj Verder Bremenit, ka shënuar golin e parë si profesionist dhe ka tërhequr vëmendjen e Greg Berhalter, trajnerit të Amerikës, i cili e ka ftuar për ndeshjet miqësore me Holandën dhe Uellsin që luhen në fund të marsit.

Përgjigja e Reinës vonoi pak, sepse ai nuk ishte i sigurt për zgjedhjen që do të bënte. Ai ka origjinë portugeze dhe argjentinase, ka lindur dhe është rritur në Angli dhe mund të priste ftesën e ndonjërës prej këtyre kombëtareve. Por zgjodhi Amerikën, si babai i tij. “E kam vendosur, do të luaj për Amerikën, është atdheu im”, – ka thënë Reina.
Në verë me siguri Borusia Dortmund do të humbë Mario Gëcen, të cilit i skadon kontrata dhe as ai vetë dhe as klubi nuk kanë në plan të rinovojnë. Po ashtu, Borusia mund të shesë edhe Sançon për një ofertë prej 120-130 milionë eurosh. Marko Rojs ka gjithmonë probleme fizike dhe kështu Reina nga sezoni i ardhshëm mund të ketë më shumë hapësirë. Plani i klubit gjerman është i qartë: do të jetë ai një nga fytyrat qendrore në kopertinën e Borusia Dormundit. Ka nisur të jetë që tani, duke luajtur vazhdimisht si zëvendësues.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje