Politike

Ndryshimi i sistemit, katër variantet e grupimit Demokrat

Grupi parlamentar demokrat ka paraqitur katër propozimet për ndryshimin e sistemit zgjedhor. Të gjitha propozimet në fakt janë bërë publike, madje disa prej tyre janë depozituar në Parlamentar nga deputetët e grupit të opozitës, apo nga Nisma Thurje, por që janë përfshirë në një të vetëm, për t’ia paraqitur zyrtarisht Këshillin Politik në tryezën e së hënës, më 9 mars.
Varianti i parë është ai i Kosovës që po aplikon prej vitesh, ai parashikon krijimin e një zone të vetme zgjedhore dhe jo në 12 qarqe siç është Shqipëria.

Ky propozim është paraqitur më parë nga deputetët Murrizi dhe Gjoni. Ky propozim nëse zbatohet kërkon ndryshime në Kushtetutë. Propozimi i dytë është varianti i sistemit proporcional i korrektuar, ku 100 deputetë zgjidhen nga listat dhe 40 ndahen sipas përqindjeve. “40 mandatet e listës korrektuese kombëtare ndahen në: a. 10 mandate, të cilat ndahen midis dy partive të para, që kanë fituar më shumë vota në rang vendi; b. 30 mandate, të cilat ndahen midis partive të tjera që kalojnë pragun 2.5%. Ndarja e mandateve bëhet në përputhje me përqindjen e votave të fituara nga subjektet zgjedhore përkatëse. Mbetjet pas presjes dhjetore kalojnë në favor të partisë me numër më të madh të votave të fituara”, thuhet në këtë propozim. Këtu përfshihet me modelin e listave të hapura dhe se zgjedhësit mund të kenë të drejtën e zgjedhjes së 5 kandidatëve.

Deputetët Rudina Hajdari, Ralf Gjoni dhe përfaqësuesit e Nismës në konferencën për shtyp pas depozitimit të p/ligjit për ndryshimin e sistemit. Gazeta “Si” 6 mars 2020

Opsioni tjetër është ai që është hedhur nga eksperti dhe ish-kreu i KQZ-së, Kristaq Kume, i cili ka propozuar ndarjen në katër rajone të Shqipërisë dhe të votimit me lista të hapura. Rajoni Verior ka këtë përbërje: Njësitë Zgjedhore – Kukës, Shkodër, Lezhë, Dibër me 27 deputetë; Rajoni Tiranë me përbërje: Njësia Zgjedhore – Tiranë; 34 deputetë; Rajoni Qendror me përbërje: Njësitë Zgjedhore – Durrës, Elbasan, Korçë, Berat me 39 deputetë; Rajoni Jugor me përbërje: Njësitë Zgjedhore – Fier, Vlorë, Gjirokastër me 40 deputetë. Kjo kërkon ndryshim të Kushtetutës, votimi është me lista të hapura me përzgjedhjen e 5 preferencave dhe se pragu është natyror. Zbatimi i këtij sistemi mund të bëhet edhe pa kërkuar ndryshime në Kushtetutë.

Propozime për ndarjen në rajone. Gazeta “Si”, 6 mars 2020


Opsioni tjetër që propozohet është sistemi mazhoritar i korrektuar me listë proporcionale kombëtare. Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, ku 100 deputetë zgjidhen në zona njëemërore, zgjedhje me një raund; 40 deputetë zgjidhen në bazë të votave të fituara nga subjektet në rang vendi. Pragu i përcaktuar për marrjen e mandatit është 2,5% e votave. Mandatet e listës proporcionale ndahen: 10 mandate midis dy partive që fitojnë më shumë vota në rang kombëtar, dhe 30 midis partive të tjera që kalojnë pragun. Zbatimi i këtij sistemit nuk kërkon ndryshime në Kushtetutë.
Sipas relacionit të këtij drafti përcaktohet se ndryshimi i 10 viteve më parë të Kodit Zgjedhor nuk ia ka arritur që të marrë rezultatet e premtuara . Ndërkohë që, në tërësi, ka rezultuar se, sistemi zgjedhor i përfaqësimit proporcional ka avantazhe të mëdha krahasuar me sistemin mazhoritar, në aplikimin e tij me skemën e listave të mbyllura partiake dhe me zona të vogla zgjedhore. Një ndër problemet e shfaqura është edhe pabarazia e votës, ku pesha e votës është më e madhe në krahasim me qarqet e ndryshme.

Aktualisht, një deputet i Kukësit përfaqëson në Kuvend 27.036 zgjedhës, ndërsa një deputet i Dibrës përfaqëson 21.886 zgjedhës. Pra, 87 mijë zgjedhës në Kukës përfaqësohen nga tre deputetë, ndërsa në Dibër nga katër deputetë. Në fakt, nëse marrim mesataren 24.687 zgjedhës për një mandat, Dibra me 131.313 zgjedhës do të duhej të përfaqësohej në Kuvend nga pesë mandate, jo 4 siç ndodh realisht. “Kjo pabarazi është edhe më e madhe, thuhet në relacion,- nëse krahasojmë numrin e mandateve për banorë. Në Tiranë, sipas censusit të fundit, ka një mandat në Kuvend për 26.328 banorë. Ndërsa në Gjirokastër, ka një mandat për 12.285 banorë. Pra, banorët e Gjirokastrës kanë një përfaqësim dy herë më të lartë për numër banorësh krahasuar me Tiranën”.
Propozimet pritet të diskutohen në treyzën e së hënës të Këshillit Politik. Opozita re parlamentare ka kushtëzuar votën e saj me reformën zgjedhore. Ndërsa ende nuk dihet nëse janë unik në qëndrimet e tyre. Këshilli Politik e shtyu mbledhjen e së premtes për të hënën, ku në rendin e ditës veç sistemi zgjedhor është edhe administrata zgjedhore, krijmi i KQZ-së. Shtyrja e mbledhjes së Këshillit është bërë me kërkesën e Partisë Demokratike, e cila do të paraqesë propozimet e saj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë