Politike

Sinjale tërheqje? Ultimatumi i Metës, Ruçi: E ka derën e hapur. Të thërrasë edhe PS në takim

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi thyen heshtjen dhe për herë të parë shprehet mbi konfliktin mes mazhorancës dhe Presidentit në lidhje me dekretet, apo me kërcënimet e lëshuara nga kreu i shtetit se mund të shpërndajë Parlamentin, brenda këtij institucioni gjatë një fjalimi përpara deputetëve.
Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka deklaruar se presidenti Ilir Meta ka derën e hapur për të ardhur në Parlament, duke theksuar se nuk mund ta ndalojë, pasi këtë të drejtë ia jep edhe Kushtetuta. “Më obligon Kushtetuta të mirëpresë presidentin sa herë dëshiron të vizitojë Parlamentin, ose do të mirëprisja dhe do të lexoja çdo mesazh që ai do i drejtonte me shkrim Parlamentit”, deklaroi Ruçi gjatë konferencës me Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka. Sa i përket ultimatumeve për dekretet, Ruçi ka bërë të qartë se Kushtetuta i ka të përcaktuar qartë rregullat e marrëdhëniet ndërmjet dy institucioneve. “Marrëdhëniet e mia me presidentin nuk ka pse të shpik rrotën, i ka përcaktuar qartë Kushtetuta e Shqipërisë. Parlamenti një nga funksionet kryesore është ai legjislativ të bëjë ligjet, siç presidenti ka të drejtë të kthejë ose dekretojë ligje. Secili institucion është sovran si parlamenti dhe presidenti për dekretet që miraton apo kthen për rishqyrtuar në Kuvend. Këto të fundit Parlamenti do t’i shqyrtojë dhe unë flas me votën time në Kuvend”, theksoi Ruçi.

Ruçi gjatë takimit me homologun austriak, ku prezent janë demokratja Rudina Hajdari dhe socialisti Taulant Balla


Ai tha se do të ndiqen të gjitha afatet edhe për dy dekretet e fundit të kthyera nga Presidenti, brenda procedurave parlamentare, duke e cilësuar si të mirë se ato përkojnë edhe me raportin e Venecias mbi këtë konflikt. Pra Ruçi ka shtuar se nuk do të marrë vendim pa shqyrtuar raportin raportin e Venecias. Por në qëndrimet e tij, Ruçi duket se ka dhënë sinjale për të negociuar me presidentin për këtë konflikt të ri ndërinstitucional, duke u shprehur i gatshëm madje edhe të negociojë apo të diskutojë për situatën.
“Takimet e mia me presidentin janë brenda kuadrit kushtetues dhe ligjor. Pyetja juaj është si socialist i vjetër e kam takuar apo jo, siç e dini presidenti është i depolitizuar nga Kushtetuta, por dhe unë që nuk jam i detyruar nga Kushtetuta këto dy vite kam qenë totalisht i depolitizuar. Besoj se nuk e kam përdorur asnjë sekond mikrofonin e kryetarit të Parlamentit për probleme partiake. Parë në këtë këndvështrim nëse Presidenti ka nevojë për qëndrime të maxhorancës, ajo ka grup parlamentar, kryesinë, mund ti thërrasë, po ashtu mund t’i thërrasë edhe mua në takim, ose ato nëse kanë problem me presidentin mund të kërkojnë takim me të”, theksoi Ruçi.
Ndërkohë presidenti i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka bëri thirrje për uljen në tryezë për gjetjen e një dialogu. “Askush nuk ka të mirë nëse konfliktet bëhen publike. Është traditë e mirë që kur ke këndvështrime të ndryshme të ulesh në tryezë dhe ti zgjidhësh ato për përmirësimin e standardeve të jetesës së atyre që të kanë zgjedhur” u shpreh Sobotka.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë