Lulzim Basha prezantoi përmes një video-mesazhi se përse propozimet e opozitës për reformën zgjedhore janë me rëndësi për të garantuar mirëqeverisjen, llogaridhënien dhe shtetin ligjor. Kreu i PD-së thotë se sistemi duhet të reformohet që t’i takojë popullit dhe jo vetëm partive politike.
Sipas Bashës vota e shqiptarëve ëshë zhvlerësuar për shkak të paracaktimit të rezultatit si pasojë e ndërhyrjes së krimit të organizuar në shit-blerjen e tyre. Për këtë arsye, ndryshimi i parë që ai propozon është një mekanizëm strik dhe kushtetues kontrolli të figurës së kandidaturave. Ky kontroll duhet t’i besohet një organi të pavarur.
Ndryshimi i dytë i propozuar nga Basha lidhet më shumë me vullnetin politik. Basha premton tolerancë zero për të gjithë ata që përfshihen në shitblerjen e votës. “Edi Rama i ka mbrojtur dhe promovuar, ne do t’i çojmë në burg”, tha ai.
Pika tjetër që ceku kreu i demokratëve lidhet me financimin e partive, një pikë për të cilën palët duket se kanë ndasi në Këshillin Politik. Basha vë theksin se përse nevojitet financimi 100 për qind nga buxheti i shtetit, apo mekanizmi penalizues për individët, apo kompanitë që financojnë partitë politike.
“Që ato të mos varen nga biznese dhe individë të pasur. Politikanët të varen nga njerëzit dhe të kontrollohen prej tyre. Kush financon partitë përjashtohet nga marrja e tenderave publikë pas zgjedhjeve, që të mos përfitojnë për shkak të donacioneve për partitë”, deklaroi Basha.
Identifikimi, votimi dhe numërimi elektronik është një tjetër kërkesë që sipas opozitës përforcon garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Basha kërkon gjithashtu një sistem më të thjeshtë dhe për këtë nënkupton mbajtjen edhe të një referendumi.
“Ne duam një sistem të thjeshtë, të qartë, përfaqësues. Një sistem, që i kërkon llogari qeverisë. Vendimi për sistemin duhet t’u takojë të gjithë qytetarëve, jo vetëm partive politike”, shtoi Basha.
Që sistemi zgjedhor të sigurojë kontrollin dhe balancimin e pushteteve dhe që pushteti të mos përqëndrohet në një dorë Basha propozon edhe ngritjen e një Senati në Parlament. Kjo, sipas Bashës nuk do të lejonte imponimin e pushtetit ekzekutiv ndaj atij legjislativ.
“40 anëtarët e Senatit zgjidhen bashkë më 100 anëtarët e Parlamentit. Parlamenti me dy dhoma nuk rrit koston për qytetarët, por ndryshon mundësinë për t’u shërbyer njerëzve në mënyrë pozitive. Arroganca dhe presioni i qeverisë nuk do të funksionojnë më për një parlament të fuqizuar me dy dhoma. Qeveria duhet të kërkojë konsensus me të dy dhomat”, shtoi Basha.
Pika tjetër lidhet me qeverinë kalimtare, ose qeverinë kujdestare për zgjedhjet. Basha propozon që deri kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Europian, 100 ditë paara zgjedhjeve caktohe tnjë qeveri që do të menaxhojë procesin zgjedhor dhe garantojë zbatimin e ligjeve dhe votën e lirë.
Qëndrimi i kryetarit të Partisë Demokratike për reformën zgjedhore mbërrin në një kohë që Këshilli Politik, organi jashtëparlamentar i ngritur nga demokratët dhe socialistët me detyrë hartimin e reformës zgjedhore brenda 15 marsit nuk e zhvilloi mbledhjen e radhës këtë të premte. Shtyrja është kërkuar nga ana e përfaqësuesit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.
Mbledhja e radhës është përcaktuar për ditën e hënë, kur PD pritet që të paraqesë në tryezë, propozimet e opozitës për reformimin e administratës zgjedhore. Ajo që dihet deri më tani është që socialistët kërkojnë depolitizimin e administratës, ndërsa PD është skeptike për këtë.

Pas këtyre deklaratave të Lulzim Bashës ka reaguar përfaqësuesi socialist në Këshillin Politik, Damian Gjiknuri. Ai akuzon opozitë për qëndrime të dyfishta dhe ja rrëzon propozimin për ngritjen e Senatit në Parlament.
“Deklarimet publike të kryetarit të PD bien në kundërshtim me vet frymën konsensuale me të cilën ka ecur puna e deritanishme e tryezës politike të reformës. Vizionin e tij për shtetin, Lulzim Basha mund ta deklarojë në fushata zgjedhore, por kjo nuk ka lidhje me Kodin Zgjedhor. Sa për kujtesë, çështja se sa dhoma duhet të ketë Kuvendi i Shqipërisë është trajtuar gjërësisht në reformën kushtetuese të vitit 1998”, thotë Gjiknuri.
Gjiknuri ironizon duke thënë se deklaratat e Bashës tregojnë që ai nuk njeh propozimet zyrtare që ka dorëzuar partia që drejton në Këshillin Politik.
“Rikujtoj se deri më tani, palët kanë arritur konsensus si për rolin e Policisë së Shtetit, Prokurorisë, hetimin nga SPAK të veprave penale të korrupsionit zgjedhor, sanksionimin dhe mbrojtjen e raportuesve të shkeljeve zgjedhore, financimin miks të fushatave zgjedhore, identifikimin elektronik të zgjedhësve në qendra votimi ose fillimin e zbatimit me projekte pilot të votimit elektronik etj”, thotë ai.
Gjiknuri hamendëson se PD mund të sabotojë reformën zgjedhore, ndërsa hedh poshtë edhe propozimin publik të Lulzim Bashës për një qeveri kujdestare për procesin e votimit, që do ta marrë detyrën 100 ditë para zgjedhjeve.
“Në tryezën politike të reformës zgjedhore diskutohen vetëm çështje që kanë të bëjnë me Kodin Zgjedhor. Asnjë çështje tjetër që shkon përtej kësaj nuk është objekt diskutimi në këtë tryezë!”, mbyll reagimin e tij, Damian Gjiknuri.

Reagimit të Damian Gjiknurit i ktheu përgjigje nga Partia Demokratike, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Gazment Bardhi. Bardhi thotë se ajo që nuk e do reformën zgjedhore është mazhoranca.
“Edi Rama dhe Damian Gjiknuri kanë të drejtë që shqetësohen pse Lulzim Basha dhe opozita luftojnë për forcimin e demokracisë në vend, sundimin e ligjit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ata janë krejt e kundërta e kësaj. Ata kanë ndërtuar shtetin privat, që dhunon qytetarët dhe pasuron e mbështet “çunat problematikë”, deklaron Bardhi.
Sipas Bardhit, qëllimi i Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit është që të vazhdojnë të përdorin në proceset zgjedhore “çunat problematikë”, si i vetmi vizion dhe e vetmja alternativë që kanë.
“Edi Rama, Damian Gjiknuri dhe Rilindja, janë të VETMIT që nuk duan Reformë të vërtetë Zgjedhore. Ato janë të qartë se me zgjedhje të lira dhe të ndershme, të pandikuara nga “çunat problematikë” apo paratë e krimit dhe korrupsionit, sot do të ishin prapa hekurave dhe jo në qeverisje apo tryeza”, vijoi Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së e mbyll reagimin me zotimin se opoozita do të shembë modelin e shtetit privat të Edi Ramës.
“Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar ka qenë dhe do të jetë në mbështetje të përmbylljes së Reformës Zgjedhore në afatin e përcaktuar. Për këtë kemi bërë propozime konkrete dhe do të vazhdojmë të bëjmë propozime konkrete, që garantojnë standardet për zgjedhje të lira e të ndershme, përfshirë edhe në takimin e radhës së ditës së hënë”, thotë ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje