Futboll

Kush është Ralf Rangnik, profeti gjerman që do të rilindë Milanin

Ralf Rangnik është profeti i futbollit të vrullshëm dhe zbavitës, kurrë spekulativ, gjithmonë i dhënë pas kibernetikës dhe cilësive teknike. Ja çfarë duhet të dini për njeriun që i ka dhënë jetë mrekullisë sportive të rrjetit të ekipeve të “Red Bull”-it dhe që Milani e ka zgjedhur për sezonin e ri, edhe pse ende jo zyrtarisht.

Të komplikosh situatën është një ushtrim idiot në sport. Pikërisht në momentin kur Milani dukej se kishte gjetur dimensionet e duhura për ta parë me optimizëm këtë fund sezoni, divergjencat mes pronarëve dhe drejtuesve sportivë kanë provokuar një luftë të brendshme. Boban nuk është më pjesë e Milanit, pasi problemeve me administratorin Gazidis për projektin e ringritjes së Milanit. Aventura e kroatit zgjati vetëm 8 muaj, pasi ai, sipas stilit të tij, foli hapur kundër pronarëve. Edhe Maldini është në rrugën e Bobanit.

Ralf Rangnik, 61-vjeçari gjerman që pritet të marrë drejtimin e Milanit. Gazeta Si, 7 mars 2020

Motivet që e kanë çuar klubin në këtë situatë janë të ndryshme. Dështimi me trajnerin Marko Xhampaolo, vendimi për t’u besuar lojtarëve ekspertë (kundër linjës së Gazidis), por shkaku i vërtetë që e bëri Bobanin të flasë pa doreza ka të bëjë me bisedimet sekrete të pronarëve të Milanit me Ralf Rangnik, gjermanin që Gazidis kërkon t’i dorëzojë çelësat e projektit sportiv të sezonit të ri. “Nuk na njoftuan për bisedimet me Rangnik dhe kjo është mungesë respekti, nuk është aspak elegante kjo sjellje, nuk shkon te Milani”, – ka thënë Boban. Edhe më parë kroati ishte shprehur se planet e administratorit të klubit ishin të paqarta dhe se Rangnik nuk ka profilin e një drejtuesi të denjë për Milanin.

Dhe për të kuptuar është apo jo njeriu i duhur për Milanin, është e nevojshme të bëhet e ditur se çfarë është në gjendje të bëjë gjermani dhe ku bazohet futbolli i tij. Që në fillim duhet qartësuar se Rangnik është një emër i fortë i futbollit botëror. Vitet e fundit ai ka bërë një punë të jashtëzakonshme me klubet ku ka qenë. Në fillimet e mijëvjeçarit të ri, modeli i ri futbollistik në Gjermani shihej me admirim për vetë faktin se u bë një ndryshim virtuoz gjeneratash dhe në këtë periudhë shumë ide ishin pikërisht të Rangnik. Ai është konsideruar njeriu kyç në këtë lëvizje të rëndësishme të futbollit gjerman.

Rangnik, kur drejtonte Hofenheimin. Gazeta Si, 7 mars 2020

Sot sytë e shumë sportdashësve admirojnë futbollin plot adrenalinë të Liverpulit të Jurgen Klop, që në fakt është rrjedhojë e punës së zhvilluar ndër vite nga Rangnik, një pionier i futbollit me ritëm të lartë, që është përqafuar nga shumë vende aktualisht. Për këtë arsye në Gjermani Rangnik është një figurë e spikatur. Parabola e karrierës së tij është e jashtëzakonshme dhe duket sikur bëhet fjalë për një zbulim.

Historia sportive e 61-vjeçarit e ka origjinën në “Pyllin e zi”, ashtu si dhe Klop. Rangnik ka portretin e një mjeku autoritar, që sheh me gjakftohtësi dhe ka një koherencë të rrallë. Rrugëtimi i tij, etapë pas etape, nga një pikë te tjetra, gjatë viteve ka bërë që ai të krijojë një kredo precize ideologjike. Sinjalet e para të një vizioni të gjera dhe avangard, virtyte që karakterizojnë gjithë trajektoren e tij, i ka dhënë shumë shpejt, që në vitet 1970, kur ishte mes futbollit amator dhe studimeve për astrofizikë në “Sussex University”. Gjatë një bisede me një volejbollist, ai u impresionua nga mënyra e stërvitjes së skuadrës. Ishte ky moment që e futi në mendime Ralf Rangnik.

Ralf Rangnik, kur drejonte Lajpcigun. Gazeta Si, 7 mars 2020

Kontaktin e parë me futbollin e ka pasur në një fushë në provincën e Ostfildern, mes pyjeve në juglindje të Shtutgartit, në një ndeshje miqësore që skuadra e tij, Viktoria Backnag (kategoria e 6-të), luante ndaj Dinamos së Kievit të Valerij Lobanovskit. Rangnik mbeti i shtangur nga presingu asfiksues të skuadrës së “kolonelit”, që të jepte përshtypjen se luante me 13 apo 14 lojtarë. Në fund të asaj ndeshjeje, djaloshi Rangnik kuptoi se ai është futbolli që dëshiron të zhvillojë sapo të ulet në stolin e një skuadre. Një futboll i pëlqyer nga një tjetër vizionar si trajneri Helmut Gros, më pas edhe nga Milani i Arrigo Sakit. Rangnik ka kaluar natë të tëra duke parë ndeshje pa fund, për të gjetur mekanizmat e duhur që ka në bazë të saj kjo makineri perfektë. Ajo mënyrë e të parit të futbollit iu kthye në një fiksim, siç ka pohuar edhe bashkëshortja e tij, e detyruar të asistonte në stërvitjen e Foxhias së Zemanit që zhvillohej pak kilometra nga rezidenca e zgjedhur prej tyre për të kaluar pushimet verore.

Ralf Rangnik është i bindur në idetë e tij dhe nuk kishte frikë t’i shprehte, edhe pse ato nuk u përkrahen nga futbolli i saj kohe. Në 1998-ën, i ftuar në programin Sportstudio, teksa analizohej dështimi i Gjermanisë në Botëror, Rangnik dha një leksion taktik në tabelë, duke shpjeguar arsyet pse kombëtarja gjermane duhej të braktiste liberon tradicional për të kaluar te mbrojtja me 4 lojtarë. Ai “show” teorik u pa me skepticizëm dhe dukej një utopi. Por profesor Rangnik nuk mjaftohej me leksione para kamerave, ai mori drejtimin e Ulmit dhe në periudhën 1997-1999 e çoi nga kategoria e tretë në Bundesligë.

Rangnik përgëzon sulmuesin Verner. Gazeta Si, 7 mars 2020

Një ngjitje e ngjashme me atë në krye të Hofenheimit, që Rangnik e drejtoi nga 2006-a në 2011-ën dhe pikërisht me këtë ekip karriera e tij shkoi në një pikë thelbësore. Për herë të parë, falë edhe investimeve të pronarit Dietmar Hop (i kontestuar fuqishëm kohët e fundit nga tifozët gjermanë), Hofenheimi shfaqi gjithë vizionin e gjerë në një model unik inovativ. Eksperimentet e Rangnik nuk kanë të bëjnë vetëm me punën në fushë, por edhe me “scouting” (zbulimin e talenteve). Ai kërkon lojtarë poshtë moshës 23 vjeç, me karakteristika të mira teknike, teknologji, mbështetje psikologjike, të gjitha të lidhura me idenë e një loje të bazuar te ritmi, vertikalizimet, ndryshimin e lojës mbrojtje-sulm në mënyrë të rrufeshme, reflekset perfekte të një njeriu të mësuar të shohë gjithmonë përpara.

Janë vitet kur Rangnik ka hedhur “farën” e një tipi futbolli që vitet e fundit ka rezultuar fitues, duke influencuar te disa trajnerë që tani janë ndër më të mirët, si Tuhel, Klop, Nagelsman. E teksa Barcelona i sugjeronte botës futbollin e së ardhmes me dominimin mbi topin (tiki-taka), Rangnik bënte gjithçka që t’i shpjegonte skuadrës se avantazhi i vërtetë nuk ishte ai, por të sulmuarit e portës kundërshtare me pasime vertikale dhe mbi të gjitha të bërit presing egërsisht te kundërshtari që në momentin e parë të humbjes së topit. Jemi në kohën e “gegenpressing”, që parashikon rikuperimin e topit në harkun e 8 sekondave (për disa trajnerë nga 4 në 6 sekonda).

Në këtë kontekst fillon të shfaqet në mënyrë të qartë figura profesionale e një njeriu dogmatik, por kurrë me fytyra të ndryshme, humanist, filozof i topit dhe menaxher i shkëlqyer që pëlqen shkencën dhe lexon Dikensin. Rangnik fillon të shfaqet si një version i azhornuar dhe ultramodern i trajnerit të tipit anglez, një Venger më largpamës dhe i dixhitalizuar, përparimtar dhe i bindur se unifikimi i roleve është mënyra më e mirë për të ndërtuar identitetin e një klubi.

Ralf Rangnik dhe Niko Kovaç. Gazeta Si, 7 mars 2020

Kështu, telefonata e vitit 2012 nga miliarderi Dietrich Mateschitz për t’i besuar rolin e drejtorit sportiv në rrjetin “Red Bull”, e limitonte trajnerin gjerman, sepse nuk e lejonte të bënte atë që ai dashuron të bëjë, të stërvitë. Por në anën tjetër është një shans i artë, sepse e lejon të modelojë sektorin futbollistik të sponsorizuar nga një kompani e fuqishme. Një sektor që reflekton në mënyrë perfekte idenë e tij për një futboll ultradinamik.

Një mundësi ideale për vizionin e Rangnik, i lirë të bëjë atë që di. Në këtë situatë komode ai mund të nxjerrë në pah vlerat e punës së tij dhe shpirtin e tij avangard. Falë intuitës së tij janë zbuluar lojtarë si Mané, Forsberg, Nabi Keità, Verner, Minamino, ndërkohë që klubet e Salcburgut dhe Lajpcigut, nga shitja e disa lojtarëve, kanë mbushur arkat. Por më shumë se gjithçka tjetër është ideja e tij për futbollin që evoluon, duke besuar në metoda të reja trajnimi, siç është edhe ajo neuronale. “Përmirësimi përkthehet në marrjen e gjërave më shpejt, analizimin e tyre më shpejt, marrjen e vendimeve më shpejt dhe reagimin më shpejt. Nëse do ta bësh lojën më të shpejtë, duhet të mendosh më shpejt, përveçse duhet të vraposh më shpejt”. Kjo është ajo që Rangnik kërkon të zhvillojë në skuadrat e “Red Bull”-it, një futboll dinamik dhe zbavitës. Nuk ka një modul loje fiks.

Rangnik pati shansin ta testonte në mënyrë direkte efikasitetin e këtij futbolli në 2015-ën, kur u bë trajner i Lajpcigut, duke lënë detyrën e drejtorit sportiv të Salcburgut. Ai shënoi kështu një tjetër arritje në karriere, e ngjiti Lajpcigun në Bundesligë. E drejtoi këtë skuadër për një vit, u largua dhe u kthye në 2018-ën, për t’ia lënë më pas “timonin” Julian Nagelsman, i cili tashmë e ka kualifikuar Lajpcigun për në çerekfinale të Champions League dhe është në garë për titullin kampion në Gjermani.

Rangnik, një personazh i dashur për tifozët e Lajpcigut. Gazeta Si, 7 mars 2020

“Rezultatet e “Red Bull”-it kanë tërhequr vëmendjen e të gjithëve dhe për këtë meritë ka “profesori”, i cili i dha jetë formulës së tij personale të bazuar me sistemin “tre K” (Kapital, Koncept, Kompetencë), si ata gurutë e marketingut që prodhojnë video motivuese në rrjetet sociale. Parabola e tij profesionale ka qenë deri këtu një aventurë pioneristike fituese. Kështu, është e qartë pse Gazidisin e tërheq kaq shumë ky njeri vizionar dhe ambicioz, të cilin deshi ta çonte në Londër, kur ishte drejtues i Arsenalit. Ai është personi që mund të përfaqësojë në mënyrë perfekte linjën e pronarëve të Milanit, të besojë te lojtarët e rinj dhe t’u rrisë vlerën atyre.

Ardhja e Rangnik te Milani do të thotë revolucion në të gjitha drejtimet, do të thotë besim te një njeri i vetëm që kërkon të ketë në dispozicion një fond të caktuar për vënë në lëvizje impiantin kuqezi. Ideja e Milanit të dikurshëm është një kujtim i largët, tani do të lindë Milani i Ralf Rangnik.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë