Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha zhvilloi një takim me Presidentin e Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka, gjatë vizitës së këtij të fundit në Tiranë.
Sipas njoftimit të shpërndarë nga Selia Blu, Basha i prezantoi Presidentit Sobotka shqetësimet e opozitës lidhur me mungesën e demokracisë funksionale në vend, kapjen e shtetit, mosfuksionimin e institucioneve, mungesën e organizimit të zgjedhjeve të lira e të ndershme, rënien ekonomike, shpopullimin e Shqipërisë, si dhe bllokimin e procesit të integrimit europian të vendit.
Njoftimi thotë se nga ana e tij, Presidenti Sobotka shprehu interes dhe u informua lidhur me qendrimet e Partisë Demokratike dhe Opozitës së Bashkuar përsa i përket situatës së krizës politike e institucionale në Shqipëri, perspektivës europiane të vendit, reformës zgjedhore, reformës në drejtësi, gjendjes së shtypit të lirë, si dhe zhvillimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Dy bashkëbiseduesit, thotë PD, patën dakordësi të plotë se 9 kushtet e vendosura nga Bundestagu gjerman janë udhërrëfyesi më i mirë për daljen nga kriza e thellë politike dhe institucionale që po kalon vendi. Basha i ka përsëritur kryeparlamentarit austriak se qëndrimi i PD-së për plotësimin e këtyre kushteve mbetet i palëkundur.
Ndërkohë, sipas njoftimit të Partisë Demokratike, austriaku Sobotka shprehu bindjen se reforma zgjedhore dhe organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë themelore për gjendjen që po kalon vendi, si dhe për perspektivën e mëtejshme.
“Ai e siguroi Kryetarin Basha për vëmendjen e tij dhe të Austrisë ndaj rolit dhe qendrimeve të opozitës në Shqipëri. Ndër të tjera Kryeparlamentari austriak nënvizoi rolin e medias në shoqëritë demokratike duke theksuar gjatë takimit se në Shqipëri duhen bërë përpjekjet maksimale për fuqizimin e medias së lirë dhe lirisë së shtypit në përgjithësi dhe se çdo përkjekje në të kundërt do të ishte në dëm të interesit të vendit”, mbyllet njoftimi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje