Barcelona kthehet te fitorja dhe ngjitet në vend të parë. Megjithatë, skuadra e trajnerit Kike Setien nuk ka mundur t’i largojë fantazmat, pasi ndaj Real Sociedadit ka vuajtur shumë. Në fund Mesi me shokë kanë buzëqeshur, falë një penalltie të dhënë me VAR dhe të kthyer në gol nga argjentinasi. Loja e katalanasve çalon ende dhe Setien duhet të falënderojë teknologjinë, edhe pse në fund ka anuluar një gol të Zhordi Albës, që do ta çonte rezultatin në 2-0. Pas dështimit ndaj Realit, Bercelona merr përkohësisht kryesimin dhe pret të mësojë rezultatin e ndeshjes së rivalëve ndaj Betisit.
Real Sociedad e tregoi qartë në “Camp Nou” pse ka arritur 6 fitore radhazi në kampionat dhe kupë. Presing i vazhdueshëm ndaj kundërshtarit, ndërsa Odegard dhe Isak krijojnë probleme në mbrojtjen e Barcelonës. Katalanasit e kanë të vështirë të ndërtojë aksionet sulmuese nga mesfusha, ku luan Rakitiç në vend të Arturit të dëmtuar. Braithuejt luan ndeshjen e parë si titullar, bashkë me Mesin dhe Grizmanin.
Mesi është nervoz dhe kjo duket qartë teksa merr karton të verdhë, ashtu si javën e kaluar. Megjithatë, është ai që jep ndonjë shkëndijë te katalanasit. Ritmi përmirësohet në pjesën e dytë dhe momenti vendimtar është ai i minutës së 79-të, kur VAR-i akordon një penallti në favor të Barcelonës për një prekje të topit me dorë. Mesi me gjakftohtësi mposht Remiron me të majtën, duke shënuar golin e fitores. Ter Shtegen dhe fati ndihmojnë katalanasit për t’ia hedhur këtë radhë, pasi loja ishte shumë larg të zakonshmes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje