Politike

Koronavirusi, Basha anulon dy aktivitete publike dhe bën thirrje për qetësi

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vendosi anulimin e dy aktiviteteve të parashikuara për pasditen e sotme, pas vendimit të Qeverisë për pezullimin e të gjitha aktiviteteve publike si masë mbrojtëse kundër përhapjes së koronavirusit.

Basha do të merrte pjesë në një aktivitet kushtuar grave shqiptare dhe kontributit të tyre në shoqërinë tonë, parashikuar që të zhvillohej në Kalanë e Tiranës.

“Aktiviteti, ku ishte parashikuar pjesëmarrja e rreth 300 grave dhe vajzave do të zhvillohet në një moment tjetër, kur shëndeti i qytetarëve të mos konsiderohet i rrezikuar”, njofton Partia Demokratike.

I njëjti vendim u mor edhe për një tjetër aktivitet të zotit Basha. Ai kishte planifikuar në orën 15.00 një dëgjesë me mësuesit, si pjesë e turit #potedegjoj, por edhe ky event do të shtyhet për një moment tjetër.

Vetë kreu i PD-së, Lulzim Basha bëri thirrje për qetësi dhe të shmanget paniku.

“Asnjë vend nuk është imun ndaj rrezikut të koronavirusit dhe tani që kemi rastet e para të konfirmuara edhe në Shqipëri, është më e rëndësishme se kurrë që të gjithë të reagojmë me kujdes dhe me përgjegjshmëri. Të gjithëve do na duhet të bëjmë sakrifica në mënyrë që të luftojmë përhapjen e virusit: të kujdesemi shumë për higjienën tonë personale, të kufizojmë udhëtimet dhe nëse nuk ndihemi mirë të rrimë në shtëpi. Sot nuk është koha për panik, por për masa të shpejta dhe të vendosura”, deklaroi Basha.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë